
“Mirëqenia e magjistratit është mirëqenia e drejtësisë, dhe mirëqenia e drejtësisë është mirëqenia e shtetit.”
Me këtë mesazh, Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, hapi fjalën e tij në Konferencën Kombëtare të Drejtësisë, duke theksuar rëndëinë e mirëqenies së magjistratit si themel i funksionimit të një drejtësie të pavarur dhe efektive.
Sipas tij, sistemi gjyqësor nuk mund të vazhdojë të mbështetet tek magjistratë të pambrojtur dhe të mbingarkuar, pasi kjo gjendje ka prodhuar një krizë të thellë që cenon cilësinë dhe pavarësinë e vendimmarrjes.
Ai vuri në dukje se mungesa e politikave për mirëqenien profesionale ndër vite ka bërë që sistemi të mbijetojë falë sakrificës individuale të magjistratëve, dhe jo falë mekanizmave të qëndrueshëm institucionalë.
Sadushi ndaloi veçanërisht te roli i KLGJ-së dhe KLP-së, të cilat, megjithëse me detyrime të qarta kushtetuese, nuk e kanë vendosur mirëqenien e magjistratit në qendër të politikëbërjes, duke e thelluar boshllëkun institucional.
Deklaratën e gjyqtarëve e vlerësoi si një sinjal të fortë se situata ka arritur kufijtë kritikë dhe se kërkohet reagim i menjëhershëm.
“Sistemi ende nuk ka politika për menaxhimin e stresit, parandalimin e lodhjes kronike (burnout), programe të mbështetjes psikologjike apo protokolle për reagimin institucional pas ngjarjeve të rënda, që janë elementë themelorë në modelet evropiane. Kjo mungesë bëhet e dukshme në realitetin e sotëm: numër i lartë çështjesh, mungesë magjistratësh, infrastrukturë e papërshtatshme, burime njerëzore të pamjaftueshme dhe deri te ngjarjet e rënda të dhunës ndaj gjyqtarëve. “, tha ai.
Sadushi theksoi se Qeveria dhe Kuvendi kanë detyrimin kushtetues të garantojnë siguri reale në gjykata, infrastrukturë funksionale dhe burime njerëzore të mjaftueshme, duke nënvizuar se: “Shteti nuk mund të kërkojë drejtësi me standarde europiane, pa investuar.”
Sadushi paraqiti disa rekomandime kyçe, përfshirë miratimin e Strategjisë Kombëtare të Mirëqenies së Magjistratëve 2025–2030, vendosjen e një standardi kombëtar të sigurisë në gjykata, rritjen e numrit të magjistratëve dhe stafit, investime urgjente në infrastrukturë dhe ngritjen e mekanizmave të mbështetjes psikosociale.
Në përmbyllje, kryetari i Gjykatës së Lartë përsëriti mesazhin themelor të vizionit të tij: “Drejtësia ka nevojë për një kulturë të re institucionale, ku siguria është standard, mbështetja është detyrim, mirëqenia është pjesë e pavarësisë dhe karriera e drejtë është parim. Vetëm kështu ndërtohet një sistem i qëndrueshëm dhe një shtet i fortë.”