
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratës së Shoqatës së Gjyqtarëve lidhur me çështjen e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila aktualisht po shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese. Në një postim në rrjetet sociale, Rama thekson se nuk do të heshtë dhe shpreh opinionin e tij publik, edhe kur është vetë palë në një gjyq kushtetues.
“Mirëpo gabon shumë Shoqata e Gjyqtarëve, nëse pret që unë të mbyll gojën e të mos ndaj me publikun opinionin tim, as edhe kur jam vetë palë në një gjyq kushtetues, për shkak se funksioni që mbuloj, me votat e afro 1 milionë shqiptarëve, është goditur në pavarësinë e vet nga një prokuror e një gjykatës dhe rrezikon të gjymtohet për sot e për të ardhmen,” shkruan Rama.
Shoqata ka reaguar duke pohuar se deklaratat për sistemin e drejtësisë përbëjnë presion politik ndaj gjyqësorit. Ndër të tjera, ajo ka shprehur shqetësim për mënyrën se si kryeministri po ndikon mbi punën e gjyqtarëve dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Kryeministri thekson se deklaratat e Shoqatës janë të njëanshme dhe i konsideron “skandaloze dhe të përsëritura”, duke iu referuar kërkesave për rritjen e pagave të gjyqtarëve me vendim gjykate, që sipas tij, rrëmbejnë kompetencat e qeverisë dhe parlamentit.
Rama shton se qeveria dhe shumica parlamentare janë të hapura për çdo komunikim institucional me Shoqatën e Gjyqtarëve, por nënvizon se pavarësia e gjyqësorit duhet mbrojtur jo vetëm nga ndërhyrjet e jashtme, përfshirë edhe kryeministrin, por edhe nga papërgjegjshmëria brenda sistemit gjyqësor.
Ish-zëvendëskryeministrja Belinda Balluku po hetohet nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera për Unazën e Madhe dhe tunelin e Llogarasë. GJKKO e pezulloi nga detyra, ndërsa kryeministri e çoi çështjen në Gjykatën Kushtetuese, duke kundërshtuar pezullimin e saj.