Vendosni fjalën kyçe....

Nga Rachel në Richard, administrata Trump i kthen emrin e lindjes zyrtarit transgjinor të administratës Biden


Administrata Trump, përmes Departamentit të Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore (HHS), ka ndryshuar emërtimin në portretin zyrtar të një ish-zyrtari transgjinor të administratës Biden, duke rikthyer emrin e lindjes gjatë periudhës së mbylljes së qeverisë federale.

HHS ka zëvendësuar emrin e përdorur më parë në portretin zyrtar të ish-ndihmës Sekretares së Shëndetësisë, duke shfaqur emrin e lindjes në vend të emrit që ajo ka përshtatur. Zyrtarja, e njohur aktualisht si Rachel Levine, shërbeu në administratën e Presidentit Joe Biden dhe mbante gradën e Admiralit. Ajo lindi mashkull dhe u bë personi i parë transgjinor që u konfirmua nga Senati i SHBA-së për një post të tillë.

Deri në mbylljen e qeverisë federale këtë vit, pllaka e portretit të Levine në mjediset e HHS-së mbante emrin “Rachel Levine”. Pas ndryshimit, ajo tani shfaq emrin e lindjes, “Richard Levine”.

Në një deklaratë për mediat, zëdhënësi i HHS-së, Andreë Nixon, tha se vendimi lidhet me qasjen e re të departamentit ndaj politikave të shëndetit publik.

“Prioriteti ynë është të sigurojmë që informacioni i paraqitur si brenda ashtu edhe jashtë HHS të pasqyrojë shkencën e standardit më të lartë. Ne mbetemi të përkushtuar për të tërhequr politikat e dëmshme të miratuara nga Levine dhe për të garantuar që realiteti biologjik të udhëheqë qasjen tonë ndaj shëndetit publik,” tha Nixon.

Levine reagoi ndaj këtij veprimi si personalisht ashtu edhe përmes një zëdhënësi, në deklarata për NPR. Adrian Shanker, zëdhënës i Levine, i tha medias publike amerikane se gjatë mbylljes së qeverisë, udhëheqja aktuale e Zyrës së Ndihmës Sekretarit për Shëndetësinë ndryshoi fotografinë zyrtare të Levine duke hequr emrin e saj aktual ligjor dhe duke përdorur një emër të mëparshëm. Shanker e cilësoi këtë veprim si një akt “fanatizmi kundër saj”.

Vetë Levine reagoi shkurt, duke kundërshtuar të hyjë në polemikë. “Nuk do i komentoj këto veprime të vockla,” u shpreh ajo për mediat, shkruan Fox.

Gjatë administratës Biden, Levine ishte shpesh në qendër të debateve publike për qëndrimet e saj mbi politikat shëndetësore lidhur me çështjet transgjinore. Ajo ka deklaruar se nuk ekziston “asnjë debat” mbi sigurinë dhe efektivitetin e ndërhyrjeve mjekësore për personat transgjinorë dhe ka mbështetur përdorimin e bllokuesve të hormoneve për të parandaluar, sipas saj, që fëmijët të “kalojnë pubertetin e gabuar”.

Në vitin 2023, Levine deklaroi publikisht se “kujdesi që afirmon gjininë është kujdes mjekësor”. Ajo e përshkroi atë gjithashtu si kujdes për shëndetin mendor dhe theksoi se “kujdesi që afirmon gjininë është, në thelb, kujdes për parandalimin e vetëvrasjeve”.