Vendosni fjalën kyçe....

Strategjia Samson – Ose si duhen kuptuar SHBA-të në Tiranë


Read this article in English

Nga Enri Çeno

Më 27 maj 2025, Samuel Samson, këshilltar i lartë në Departamentin e Shtetit, publikoi analizën “Nevoja për Aleatë Civilizues në Evropë” — një kritikë e drejtpërdrejtë ndaj largimit të Evropës nga rrënjët e saj perëndimore. Shkrimi argumentonte se lidhjet transatlantike duhet të mbështeten mbi trashëgiminë e përbashkët — ligjin natyror, të drejtat individuale dhe sovranitetin — e jo në “konformitet globalist”. Ai godiste prirjet evropiane drejt censurës digjitale, migracionit masiv dhe ndërhyrjeve elektorale që gërryejnë fjalën e lirë, kufijtë dhe qeverisjen e ndershme.

Ky nuk ishte një memo i butë; ishte një sinjal pritshmërie dhe durim-mbarimi nga SHBA ndaj aleatëve që i japin përparësi kontrollit mbi kombetimit. Në shumë kryeqytete evropiane u prit me reagime që shkonin nga tmerri te përçmimi. Media si The Globalist e dënuan si një imponim të “ngurtësisë kushtetuese amerikane” mbi “kornizat në zhvillim” të Evropës, duke e paraqitur thirrjen e Samsonit drejt filozofisë klasike si nostalgji të vjetruar.

Të tjerë e akuzuan për hipokrizi: si mund të jepte leksione demokracie një administratë e epokës Trump, ndërsa vetë përballej me kritika të brendshme? Komentuesit evropianë e quajtën “tenxherja që i thotë xhezvesë e zezë”, duke pretenduar se ideologët amerikanë po rreshtoheshin, madje pa dashje, me figura si Putini për të minuar normat liberale. Reagimi u zgjerua edhe ndaj propozimeve për kufizime vizash për censorët ose financime për figura si Marine Le Pen – lëvizje që u cilësuan si ndërhyrje e hapur dhe si “gaslighting” në diskursin e të drejtave të njeriut.

Në thelb, urrejtja vinte nga mesazhi i “dashurisë së ashpër”: Evropa po dështon në detyrimet e saj civilizuese, dhe SHBA mund të rikalibrojë kursin.

Megjithatë, pavarësisht tmerrit dhe neverisë që shprehu një pjesë e Evropës, deri në dhjetor 2025 shumë prej mendimeve të Samsonit tashmë janë të kodifikuara në Strategjinë e Re Kombëtare të Sigurisë (NSS) të SHBA-së — duke e ngritur analizën këshillimore në doktrinë zyrtare. NSS përcakton se aleancat janë të kushtëzuara nga “demokracia e mirëfilltë, liria e shprehjes dhe kremtimi i pa komplekse i karakterit dhe historisë së çdo kombi evropian”, duke u vënë kundër “kufizimeve elitare, antidemokratike mbi liritë themelore”.

Ajo i bën thirrje Evropës të frenojë “trajektoren vetëshkatërruese”, duke përfshirë censurën dhe shtypjen e opozitës. Rritet barrëndarja: aleatët e NATO-s shtyhen drejt shpenzimeve prej 5% të PBB-së për mbrojtjen përmes “Angazhimit të Hagës”, me një fokus pragmatist tek përgjegjësia rajonale, jo tek zgjerimet e pafundme.

Për Ballkanin Perëndimor, kjo nënkupton zhvillimin e “kombeve të shëndetshme” përmes tregtisë dhe lidhjeve kulturore, si dhe zgjidhjen e pikave të nxehta si Kosova–Serbia me “diplomaci jokonvencionale”. Në terma realpolitik, është një zhvendosje e qartë: aleancat nuk janë çek pa kufi, por investime në partnerë që forcojnë identitetin perëndimor kundrejt erozionit të brendshëm.

Për Shqipërinë — anëtare e NATO-s që prej 2009-s dhe aleate solide e SHBA-së kundër ndikimit rus — implikimet janë tepër konkrete. Kredencialet demokratike të vendit janë dobësuar gjatë sundimit të zgjatur të Edi Ramës, të shënuar nga kapja e mediave, ndërhyrjet në drejtësi dhe korrupsioni. Këto janë shenja të një semi-autokracie të veshur me retorikë pro-perëndimore.

Zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, fitorja e katërt e Ramës, u zhvilluan nën rrethana të parregullta: Giro d’Italia e planifikuar njëkohësisht për të shpërqendruar, samiti i BE-së disa ditë më pas që i dha legjitimitet të pamerituar.

Pjesëmarrja në zgjedhjet e pjesshme lokale në nëntor 2025 ra në 18.7% në pesë bashki — një tregues i qartë zhgënjimi: sa më pak votues, aq më e thjeshtë mbajtja e pushtetit për ata që e kontrollojnë sistemin.

Gjatë dy dekadave, ndihmat amerikane dhe evropiane shpesh janë kanalizuar drejt OJF-ve pranë Ramës, duke u kthyer në mekanizma përfortësimi të regjimit, e jo të reformave. Shkurtimet e USAID-it nga administrata Trump, që ndaluan grantet e abuzuara, përputhen qartësisht me mospëlqimin e NSS ndaj çdo mbështetjeje të pakushtëzuar.

Për t’u rreshtuar me doktrinën e re, SHBA-ja mund të kushtëzojë bashkëpunimin ushtarak dhe projektet teknologjike me reformimin e sistemit zgjedhor, forcimin e integritetit dhe rritjen e pjesëmarrjes, si dhe me auditime të pavarura të fondeve. Shpenzimet e mbrojtjes në Shqipëri—1.8–2% e PBB-së—janë larg objektivit 5%, çka hap derë presioni për kontribute shtesë trupash ose masa serioze kundër korrupsionit. “Bindja e pakushtëzuar” e Ramës ndaj politikave amerikane — përfshirë lavdërimet e tij të tepruara ndaj Trump pas deklarimeve të vjetra se fitorja e tij në 2016 do të ishte “katastrofë” — tashmë nuk mjafton. NSS vlerëson substancën, jo komodimin.

Harmonizimi në çështjet e ndikimit kinez (p.sh. ndalimi i Huawei-t) ose diversifikimi energjetik mund ta mbajnë marrëdhënien të qëndrueshme, por regresi i vazhdueshëm rrezikon ta zhvendosë fokusin amerikan drejt partnerëve më të besueshëm, si Polonia. Në këtë rishtrirje doktrinare, Shqipëria duhet të vendosë: ose ndalon shtypjen elitare, ose pranon një aleancë të ftohur, ku sovraniteti kërkon llogaridhënie.

Fjala e mbylljes së Samsonit mbetet e goditur:
“Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara ndaj një partneriteti të fortë me Evropën dhe një bashkëpunimi të sinqertë mbi objektivat e përbashkëta të politikës së jashtme. Por ky partneritet duhet të mbështetet mbi trashëgiminë tonë të përbashkët, jo mbi konformitetin globalist.”

Elitat snobe mund ta shpallin sipërfaqësore; një lexim serioz tregon të kundërtën — thirrja e tij është thelbësore për botën dhe jetike për aleatët e vërtetë të Amerikës. Realpolitika mund të mbështetet vetëm mbi vlera të qëndrueshme, që ushqejnë inovacionin, sigurinë dhe mirëqenien e ndërsjellë në kohë tronditjesh gjeopolitike.

VINI RE: Artikulli është pronësi intelektuale e Albanian Conservative Institute