
Ka ndërruar jetë Fatos Mehdi Daci, gazetari, historiani dhe “Mjeshtri i Madh”, njofton familja e tij. Homazhet do të zhvillohen në Pallatin e Kulturës, Peshkopi, më 8 dhjetor 2025, nga ora 9:00-11:00, ndërsa varrimi do të bëhet në vendlindjen e tij, Lagjja Dacallarë, Njësia Administrative Sllovë, Dibër, në orën 13:00. Pritja para varrimit do të zhvillohet tek Shtëpia Funerale “Ija”, Rruga “Kujtim Laro”, Tiranë, më 7 dhjetor 2025, nga ora 14:00 e në vijim, dhe do të ofrohet transport për në Peshkopi.
“Me dhimbje të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të Babait tonë, Fatos Mehdi Daci, Mjeshtër i Madh, gazetar, historian, shkrimtar, një prej figurave më të shquara të kulturës, historisë dhe publicistikës dibrane e mbarëkombëtare. Ai ia kushtoi gjithë jetën dijes, shkrimit dhe ruajtjes së vlerave identitare shqiptare.”
Fatos Daci ishte anëtar i përhershëm i Akademisë Amerikano-Shqiptare të Shkencave dhe Arteve, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë dhe kryetar i disa shoqatave kulturore e atdhetare. Në mbi pesë dekada krijimtarie, ai botoi më shumë se 60 vepra historiko-enciklopedike me mbi 15.000 faqe, duke dokumentuar jetën, historinë, traditat dhe figurat e Dibrës dhe të mbarë shqiptarëve.
Si gazetar dhe publicist, ai themeloi dhe drejtoi gazeta si “Dibra”, ku shërbeu si kryeredaktor dhe botues, ka botuar qindra artikuj, reportazhe dhe studime, si dhe ka realizuar 23 dokumentarë televizivë. Ai organizoi dhjetëra veprimtari përkujtimore dhe kulturore në Tiranë, Dibër, Bulqizë e më gjerë, duke promovuar historinë dhe vlerat e Dibrës.
Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm, Daci u nderua me tituj të shumtë, përfshirë “Mjeshtër i Madh”, dhe u shpall disa herë “Qytetar Nderi” nga Bashkia Peshkopi, Komuna Dibër e Madhe, Maqedoni dhe disa komuna të Dibrës.
Familja njofton se pritje do të ketë edhe më 9 dhjetor 2025, nga ora 08:00 e në vijim.
“Fatos Daci largohet nga jeta, por jo nga kujtesa jonë. Ai lë pas një pasuri të pamatë shpirtërore dhe dokumentare, që do t’i shërbejë brezave përjetësisht. I paharruar qoftë kujtimi i tij.”