Vendosni fjalën kyçe....

Këshilltarja e qytetit të Dubrovnikut shtron idenë e padisë ndaj Shqipërisë për plehrat në det


Pas incidenteve të përsëritura ekologjike me mbeturinat që përfundojnë në det, këshilltarja e qytetit të Dubrovnikut dhe avokatja Viktorija Knezević ka hedhur idenë nëse është e mundur të paditet Shqipëria për ndotjen që shkaktojnë plehrat e hedhura në Adriatik.

“Pas një hulumtimi të kujdesshëm, mund të them se teorikisht një padi është e mundur, por praktikisht ka shumë vështirësi për të arritur sukses,” tha Knežević. Ajo shtoi se kjo nuk do të thotë se duhet të heqim dorë nga ideja, veçanërisht nëse nuk ka zgjidhje të tjera efektive, shkruan media kroate Juginfo.

Ajo shpjegon se mbeturinat detare vijnë nga shumë burime, kalojnë kufijtë dhe lëvizin sipas erës dhe rrymave, gjë që e bën të vështirë të provohet përgjegjësia ligjore e një shteti të vetëm.

“Ky është një sistem shumë kompleks, dhe kjo ul ndjeshëm shanset për sukses në një gjyq,” tha Knežević.

Mbeturinat si “maja e ajsbergut”

Këshilltarja thekson se pyetja më e rëndësishme nuk është thjesht fajësimi i një shteti, por gjetja e mënyrave për të ndaluar përmbytjen e plazheve me plehra.

“Ajo që shohim në plazhe përbën vetëm rreth 20% të totalit të mbeturinave. Rreth 80% fundoset në fundin e detit. Pra, ajo që shohim pas erës jugore është vetëm maja e ajsbergut. Barra e vërtetë ekologjike mbetet nën ujë, duke ndikuar në ekosistemin detar, peshkatarët, turizmin dhe shëndetin e detit. Zgjidhjet tashmë ekzistojnë, nuk na duhen konventa të reja apo paditë. Duhet vetëm të aktivizojmë ato që kemi,” tha ajo.

Zgjidhjet ekzistuese dhe modelet e suksesit

Knezević theksoi se Konventa e Barcelonës detyron të gjitha vendet e Mesdheut, përfshirë Shqipërinë, të ulin mbeturinat që përfundojnë në det. Ajo sugjeron se Kroacia mund të kërkojë që Adriatiku Jugor të shpallet zonë prioritare dhe se projektet ekzistuese, si bashkëpunimi kroato-shqiptar me UNDP-në, mund të zgjerohet për të adresuar grykëderdhjet e lumenjve dhe deponitë problematike.

“Procesi i anëtarësimit të Shqipërisë në BE i jep Kroacisë një mjet të fuqishëm për të kërkuar rezultate konkrete dhe të matshme në mbrojtjen e Adriatikut. Bashkëpunimi rajonal Adriatik (HR–AL–CG–IT) mund të përforcohet menjëherë, pa marrëveshje të reja, mekanizmat ekzistojnë. Dhe më e rëndësishmja: këto nuk janë ide teorike,” tha Knezević.

Ajo përmend se modele të ngjashme kanë funksionuar me sukses në Detin Baltik dhe në lumin Rajna, ku shtetet kanë arritur të ulin ndotjen duke zbatuar sistematikisht marrëveshjet ekzistuese. Projekti UNEP/MAP, kur aktivizohet Plani Rajonal për Mbeturinat Detare, ka dhënë rezultate të matshme.

“Këto plehra nuk janë prodhuar këtu, por përfundojnë këtu. Prandaj duhet të veprojmë me mendje të ftohtë, duke aktivizuar sistemin ekzistues në dobi të bregdetit kroat dhe qytetarëve,” përfundoi këshilltarja e Dubrovnikut, Viktorija Knezević.