
Autoritetet australiane aktivizuan të dielën pagesat e ndihmës për katastrofa për banorët në gjashtë rajone të Uellsit të Ri Jugor, pasi zjarret masive kanë përfshirë mijëra hektarë tokë pyjore në shtetin më të populluar të vendit. Sipas DW, fondet e emergjencës u mundësojnë banorëve qasje në akomodim urgjent, blerjen e artikujve thelbësorë si dhe ofrimin e kredive për biznese të vogla dhe fermerë.
Mbi 50 vatra zjarri, të ndezura nga një valë përvëluese të nxehti, ishin aktive të shtunën, sipas Shërbimit Rural të Zjarrfikësve të Uellsit të Ri Jugor. Më vonë autoritetet njoftuan se situata po stabilizohej dhe se zjarret konsideroheshin nën kontroll.
Në rajonin e Koolewong, rreth 45 kilometra në veri të Sidneit, Shërbimi Rural i Zjarrfikësve konfirmoi se 16 shtëpi janë shkatërruar dhe të paktën nëntë të tjera janë dëmtuar. Banorët janë urdhëruar të largohen nga zona për shkak të përhapjes së flakëve.
Qeveria federale dhe autoritetet lokale kanë bërë të ditur se vlerësimet paraprake tregojnë dëme të rënda në prona private, infrastrukturë kritike, gardhe, pasuri bujqësore dhe parqe kombëtare. Shkalla e plotë e dëmeve pritet të bëhet më e qartë pasi ekipet e terrenit të përfundojnë inspektimet.
Kryeministri australian Anthony Albanese u shpreh për ABC se vendi ka qenë me fat që nuk është raportuar asnjë viktimë në njerëz, duke theksuar se ky është gjithmonë prioriteti kryesor. Ai paralajmëroi se kjo verë do të jetë e vështirë, ashtu si verat e viteve të fundit të ndikuara nga ndryshimet klimatike.
Uellsi i Ri Jugor është një nga rajonet më të prekshme nga zjarret në Australi dhe rreziku po rritet ndjeshëm për shkak të klimës gjithnjë e më ekstreme. Zjarret e “Black Summer” të viteve 2019–2020 shkaktuan shkatërrime masive, duke djegur një zonë sa madhësia e Turqisë dhe duke marrë 33 jetë njerëzish.