
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ngriti sot shqetësimin mbi krizën e përballueshmërisë së banesave në Tiranë, duke e cilësuar situatën “dramatike dhe të paprecedentë” për të rinjtë, familjet dhe shtresën e mesme.
Në një video të publikuar sot, Tabaku theksoi se çmimet e apartamenteve në Tiranë janë rritur me 3 deri në 4 herë, jo vetëm në zonat qendrore, por në gjithë kryeqytetin, nga Astiri te Porcelani e deri në Brryl, duke e kthyer blerjen e një banese në një luks të paarritshëm.
Sipas saj, rritja e çmimeve është krejtësisht e shkëputur nga realiteti ekonomik, pasi pagat nuk kanë ndjekur asnjë ritëm të ngjashëm me çmimet e banesave. ]
Ndërkohë qytetarët përballen me rritje taksash, kosto jetese më të larta dhe të ardhura që nuk lëvizin në të njëjtën trajektore.
“Sot në Shqipëri, një familje duhet të kursejë 20 vite pa ngrënë, pa jetuar dhe pa shpenzuar për asgjë, vetëm që të blejë një apartament. Kjo është e patolerueshme në një vend normal,” u shpreh Tabaku.
Deputetja demokrate argumentoi se një nga shkaqet kryesore të rritjes artificiale të çmimeve është përfshirja masive e parave të pakontrolluara dhe aktiviteteve informale në sektorin e ndërtimit, duke shtrembëruar tregun, duke larguar blerësit e ndershëm dhe duke e shndërruar kryeqytetin në një treg të kapur nga pakica.
“Ndërtimi në Tiranë financohet në pjesën më të madhe nga burime të pa verifikueshme. Pastrimi i parave ka shtyrë çmimet në nivele të paimagjinueshme, ndërsa pagat e shqiptarëve që paguajnë taksa dhe punojnë ndershmërisht mbeten në vend,” tha Tabaku.
Në përfundim të videos, ajo theksoi se ndërrimi i këtij sistemi të mbyllur dhe të kapur është i vetmi rrugëtim që u hap mundësi reale të rinjve dhe shtresës së mesme për një jetë dinjitoze dhe për mundësinë më minimale që çdo qytetar të ketë një strehë të vetën.