
Partia Demokratike ka denoncuar publikisht gjendjen e punimeve në unazën e Burrelit, ku sipas saj, asfalti është dëmtuar dhe çarë pa u mbyllur ende zyrtarisht projekti. Zëdhënësja e antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, e cilësoi rastin një skandal të pastër korruptiv dhe i kërkoi SPAK-ut të nisë pa vonesë hetimet.
Në deklaratën e saj, Vangjeli tha se situata ekspozon propagandën e qeverisë dhe veçanërisht të kryeministrit Edi Rama, i cili më 22 tetor publikoi në rrjetet sociale pamje nga punimet, duke pretenduar se ato po shkonin drejt përfundimit dhe se shtresat e fundit të asfaltit ishin hedhur sipas standardeve.
Sipas PD-së, në 6 mars Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) lidhi kontratën me kompaninë “Ulza shpk” për sistemimin dhe asfaltimin e rrugëve në Drejtorinë Rajonale Veriore Shkodër, me vlerë 1.2 milion euro.
Në qershor u shpall fituesi për mbikëqyrjen e punimeve, një bashkim operatorësh (LENI ING SHPK – ANGERBA SHPK), tre muaj pas nënshkrimit të kontratës për punimet civile.
Megjithatë, në tabelën teknike të projektit në terren nuk figuron bashkimi i operatorëve të shpallur fitues për mbikëqyrjen.
Në vend të tyre shfaqet një punonjës i ARRSH, Nikollaq Mihali, çka ngre pikëpyetje për mënyrën se si janë përdorur fondet e mbikëqyrjes dhe arsyet pse fituesit e procedurës nuk kanë ushtruar detyrën.
Sipas PD-së, ky devijim nga procedurat e rregullta është tregues i qartë i keqmenaxhimit dhe i mundshme shkelje ligjore.
Pamjet nga terreni, të bëra publike nga opozita, tregojnë çarje të dukshme në shtresën e asfaltit, si dhe dëmtime të konsiderueshme të rrugës ende pa u dorëzuar objekti. Sipas Vangjelit, ky është “rezultati i mbikëqyrjes së munguar dhe i punimeve të kryera pa respektuar standardet”.
Ajo u shpreh se qeveria e maskon dështimin me propagandë dhe postime në rrjetet sociale, ndërsa realiteti në terren tregon kualitet të dobët dhe punime të pakontrolluara.
Partia Demokratike i kërkon SPAK-ut të nisë hetime të plota mbi kontratat, mbikëqyrjen dhe zbatimin e punimeve në këtë projekt, duke argumentuar se qytetarët shqiptarë nuk meritojnë “vjedhje, mashtrim dhe korrupsion”.
“Rezultati është i dukshëm dhe skandali është i plotë,” tha Vangjeli, duke theksuar se përgjegjësit duhet të mbajnë përgjegjësi penale dhe financiare.