
Pas një zgjerimi të shpejtë vitet e fundit, të ndikuar nga rritja e klientëve të huaj, kryesisht italianët, tregu i shërbimeve mjekësore, sidomos atyre dentare, po riformatohet.
Kompanitë e mëdha po specializohen dhe po investojnë në infrastrukturë, madje edhe në atë hoteliere.
Ashtu si në çdo segment tjetër, ku sapo shihet që ai po rezulton fitimprurës, konkurrenca shtohet me shpejtësi, kjo po ndodh dhe me shërbimet dentare.
Operatorët e tregut pohojnë se një nga zhvillimet kryesore është hapja e shumë klinikave të vogla, që kanë hyrë në treg pasi janë tërhequr nga kthimet e larta. Kjo dyndje ka çuar në një ulje të çmimeve, që ka ngadalësuar rritjen e kompanive dhe ka ulur normat e fitimit.
Tregu italian vijon të jetë dominues, sidomos ai i Italisë së Jugut, që njihen si kursimtarë dhe që tentojnë të marrin oferta sa më të mira.
Klientët tërhiqen përmes disa kanaleve, ku më kryesoret mbeten agjentët që funksionojnë si call center, ndonëse problem është ulja e personave që flasin gjuhën italiane, që nuk është më dominuese në brezin e ri, me këtë të fundit që po orientohet nga anglishtja.
Këto shoqëri thirrjesh telefonike janë zakonisht të vogla me 3-4 persona, që shpesh kanë vështirësi në administrimin e punës, e cila është komplekse dhe kërkon koordinim në lënien e orareve, pritjen, ndjekjen e pacientëve etj., duke pasur probabilitet që procesi të dështojë.
Kompanitë po tentojnë t’i largohen këtij modeli duke u orientuar në marketingun në rrjete sociale, përmes influencerëve, apo me reklamimin në mediat italiane.
Operatorët e mëdhenj po investojnë dhe në akomodim. Pothuajse të gjithë po hapin hotele, çka ul kostot e qëndrimit dhe ndihmon në koordinimin e punës dhe menaxhimin e klientëve.
Me rritjen e aktivitetit, të mëdhenjtë po tentojnë të shënjestrojnë klientelën dhe të specializohen apo dhe të ndahen në disa shoqëri.
Konkurrenca e fortë po ndikon negativisht dhe në cilësi. Operatorët e tregut pohojnë se në përpjekje për të ulur kostot dhe për të shtuar ofertat, shoqëritë i janë drejtuar Kinës për të blerë materiale.
Konkurrenca dhe mungesa e stafit i ka rritur shumë kostot dhe ka shumë subjekte që kanë hyrë në këtë treg dhe nuk kanë arritur të ecin.
Rreziqet?!
Shtimi i konkurrencës rriti shqetësimin tek operatorët, se mund të bëhet në kurriz të cilësisë dhe kohës së shërbimit. Implantet janë shërbime me 10 vjet garanci dhe nëse shfaqin probleme më pas te klientët, pjesa më e madhe e të cilëve janë në moshë të madhe, mund të dëmtojnë imazhin e vendit.
Edhe mediat italiane kanë shkruar me skepticizëm për cilësinë e këtij shërbimi. Gjithsesi, operatorët sugjerojnë se potenciali i këtij tregu është i madh, por gjithmonë nëse do të kishte kontrollin e duhur nga institucionet shtetërore.
Klinikat e mëdha ofrojnë standarde të larta e shërbime cilësore, të niveleve europiane, ndërsa janë konkurruese me çmimet.
Shtohet konkurrenca dhe për shërbimet estetike
Është e zakonshme që në rrugët e Tiranës, apo në aeroport, të shohësh të huaj me hundë e kokë të fashuar.
Pamela, një shqiptare që jeton e punon në Itali si fizioterapiste, thotë se koleget e saj i thonë vazhdimisht se kanë dëgjuar që shërbimet estetike në Tiranë kushtojnë shumë më lirë se në Itali dhe shprehin interesin të shkojnë e t’i kryejnë ato.
Konkurrenca është shtuar dhe në këtë segment, duke sjellë ngadalësim të rritjes apo dhe rënie për të mëdhenjtë.
“Sombrero” (Klinika Keit) është më e madhja në vend për mjekësinë e specializuar estetike.
Në vitin 2024, të ardhurat e kompanisë ishin për herë të parë me tendencë rënëse, duke u tkurrur me 14%, në 839 milionë lekë, ndërsa në vitin 2023 ishin rritur me 8.2% dhe në vitin 2022 u dyfishuan. Në vitin 2024, fitimet u përgjysmuan në 187 milionë lekë, duke dalë nga renditja e “Monitor 200”.
Edhe norma e kthimit u reduktua ndjeshëm në 22%, nga 37% në 2023, dhe 48% në vitin 2022.
Pavarësisht rënies së të ardhurave dhe fitimeve, kompania raportoi shtim të shpenzimeve të personalit me 16%, në 211 milionë lekë. Më e shtrenjtë ishte dhe lënda e parë, duke u bërë një faktor tjetër në tkurrjen e fitimeve.
Sipas burimeve nga “Sombrero”, edhe për ndërhyrjet estetike, klientët kryesorë janë italianët. Disa nga procedurat kirurgjikale që zakonisht kanë një kërkesë të lartë dhe preferohen nga pacientët janë:
– Lipoaspiracioni (liposuksioni), një procedurë e zakonshme për heqjen e yndyrës së tepërt nga zona e trupit si abdomeni, beli, gjinjtë dhe kofshët.
– Rinoplastika, një ndërhyrje për ndryshimin e formës së hundës për të përmirësuar pamjen e fytyrës.
– Face Lift: Kjo është një ndërhyrje për të zbutur rrudhat dhe për të kthyer një pamje më të re të fytyrës.
– Rritja e gjoksit: Në këtë kategori përfshihen ndryshimet e madhësisë së gjoksit përmes implanteve ose transferimit të yndyrës së trupit.
– Abdominoplastika: Një procedurë për të hequr qelizat e tepërta të lëkurës dhe yndyrën nga zona e barkut.
– Transplantimi i flokëve: Për persona me humbje të dukshme të flokëve, transplantimi i flokëve është një opsion, ku kërkesat janë kryesisht nga të huaj.
Edhe spitalet private po e shohin me interes ofrimin e shërbimeve estetike. “American Hospital”, më i madhi në vend, theksonte në raportin vjetor se do të fokusohet edhe në zgjerimin e aktivitetit të tij edhe jashtë territorit të Shqipërisë dhe zhvillimin e turizmit mjekësor, duke rritur edhe më tej kapacitetet e shërbimit.
“Sektori shëndetësor është një zonë me mundësi në rritje për investitorët spitalorë, veçanërisht ata që kërkojnë të synojnë pacientë ndërkombëtarë nga tregjet e afërta europiane si Italia, Greqia dhe Ballkani.
Shumë pacientë të huaj tashmë po udhëtojnë drejt Shqipërisë për shërbime shëndetësore cilësore me kosto më të ulëta dhe kjo prirje pritet të vazhdojë të rritet me përmirësimin e standardeve të kujdesit shëndetësor privat”, thuhet në raport./Monitor