
Kreu i PD-së, Sali Berisha, në një takim me aleatët, përsëriti akuzat e tij ndaj kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se zgjedhjet e 11 majit janë fituar përmes mbështetjes së karteleve të drogës dhe përdorimit të të gjitha mekanizmave të shtetit.
Berisha pretendoi se Rama dhe ish-ministri Igli Hasani kanë ushtruar presion dhe kanë kërcënuar diplomatët e ekipit të OSBE/ODIHR, me qëllim që të ndryshonin raportin final për zgjedhjet.
“Zgjedhjet Edi Rama i fitoi nga droga, nga kartelet e drogës dhe krimit, i përdori duke përdorur të gjitha resurset e shtetit njëlloj si në partinë shtet.
I fitoi duke frikësuar dhe trembur zgjedhësit. Ju keni dëgjuar se ky raporti i OSBE/ODIHR, i cili në fakt i shpall zgjedhjet si zgjedhje të partisë shtet, dhe ka një vërtetësi të padiskutueshme, për të ndryshuar këtë raport u bënë përpjekjet më të jashtëzakonshme.
Edi Rama thirri në zyrë dhe kërcënoi si bandit diplomatin që kryesonte ekipin e vëzhguesve. Igli Hasani thirri në zyrë kreun tjetër të vëzhguesit bashkë me vëzhguesit dhe u tha, ku i keni këto të dhëna, ku i argumentoni këto, ku i bazoni këto që keni shkruar.
Po ju njoh me këto se gjer në ç’shkallë këta narkoqeveritarë janë të gatshëm të kërcënojnë edhe faktorin ndërkombëtar.
Natyrisht kërcënimet e tyre, me gjithë përpjekjet e jashtëzakonshme që bënë, u shumëzuan me zero.
Ai zotëri nderoi institucionin që përfaqësonte, nderoi veten e tij, një zyrtar i ndërgjegjshëm dhe i dobishëm me të gjitha funksionet që ka kryer, raporti doli ky që është, të cilin përsëri propaganda përpiqet ta sfumojë. Përpiqet ta injorojë”, tha Berisha.