
Drejtuesi politik i Partisë Demokratike për qarkun e Tiranës, deputeti Belind Këlliçi, ka bërë apel të rinjve që më 8 Dhjetor, në Ditën e Rinisë, të marrin pjesë në Foltoren që do të mbahet në orën 18:00 para Kryeministrisë.
Në një postim në Facebook, Këlliçi thekson se 8 Dhjetori nuk është vetëm një datë historike, por simbol i përgjegjësisë së brezit të ri për të mos pranuar status quo-në, për të mos braktisur atdheun dhe për t’u përballur me sfidat që pengojnë zhvillimin dhe lirinë e tyre.
“Të hënën më 8 Dhjetor, në orën 18:00, të gjithë në shesh në Ditën e Rinisë,” shkruan Këlliçi. Ai kujton se Dita e Rinisë dhe simbolika e Lëvizjes Studentore pasqyrojnë një gjysmë shekulli urie për liri, dije dhe dinjitet.
Deputeti i PD thekson se, pavarësisht ndryshimeve të kohës, kauza e rinisë mbetet aktuale: shqiptarët aspirojnë të jetojnë në një shtet të lirë, demokratik, të begatë dhe modern.
Sipas tij, rinia ka potencialin për të realizuar këtë liri, por ndien pengesat e aftësive të saj, stanjacionin ekonomik dhe frustrimin nga mungesa e barazisë në vendimmarrje.
“Kushtet për të ardhmen që dëshiron nesër janë në dorën e rinisë, që duhet të vetëdijësohet dhe të përballet me situatën kritike të vendit,” përfundon Këlliçi, duke ftuar të rinjtë të mos i përgjigjen problemeve me ikje, por me përballje dhe angazhim.
Postimi i deputetit të PD, Belind Këlliçi
Të hënën më 8 Dhjetor, në orën 18:00, të gjithë në shesh në Ditën e Rinisë ✌🏻
8 Dhjetori, si Dita e Rinisë dhe simboli i Lëvizjes Studentore, është mishërimi i një gjysmë shekulli uri të rinisë dhe popullit shqiptar për liri, për dije, për dinjitet.
Pavarësisht se simbolikat ndryshojnë me kohën, kauza e madhe vijon të jetë aktuale edhe në kontekstin ku jetojmë.
Shqiptarët ende aspirojnë të jetojnë në një shtet të lirë, demokratik, të begatë dhe të modernizuar.
Rinia shqiptare i ka të gjitha potencialet për ta aktualizuar këtë liri.
Askush më mirë se të rinjtë nuk e ndjen pengimin e aftësive, stanjacionin ekonomik, frustrimin e potencialit të tyre të jashtëzakonshëm. Pavarësisht propagandës, të rinjtë nuk janë apatikë apo indiferentë.
Ata shohin dhe kuptojnë gjithçka, përfshirë dhe faktin se janë lënë qëllimshëm larg vendimmarrjes, barazisë në meritë me qëllimin e vetëm patronazhimin e shoqërisë në çdo qelizë.
Në të njëjtën kohë, është në dorën e të rinjve të vetëdijësohen për situatën kritike që vendi po kalon.
Të keqes mos t’i përgjigjemi me ikje, por me përballje.
Me të gjitha energjitë e tyre, kreativitetin, forcën e mendimit, rinia duhet të realizojë me çdo e mos sot, kushtet për të ardhmen që dëshiron nesër.