
Më 12 dhjetor Gjykata e Posaçme do vendosë nëse çështja e kryebashkiakut të Tiranës Veliaj do kalojë për gjykim apo do i kthehet SPAK-ut.
Kryebashkiaku i Tiranës ka deklaruar më herët se nuk është njohur me aktet e dosjes, të cilat nuk ka pasur mundësinë t’i shqyrtojë fizikisht.
Avokati i tij Alban Duraj, tha se në praktikë prokuroria shpesh nuk u dorëzon të pandehurve aktet mbi të cilat është bazuar për të arritur në konkluzione fajësie.
“Prokuroria i dërgon Gjykatës kërkesën për kalimin e çështjes për gjykim dhe kërkon që personat nën hetim të shpallen fajtorë. Në këtë rast z.Veliaj dhe të pandehur të tjerë. Problemi është se kur palët nuk marrin aktet, dhe kjo ndodh shpesh, ato njohin dosjen vetëm në seancën paraprake. Kjo bie ndesh me Kodin e Procedurës Penale, i cili u jep të drejtë palëve të njihen me aktet që në momentin kur u komunikohet akuza, duke pasur një afat 10-ditor për të paraqitur prapësimet apo provat që mbështesin pafajësinë. Nga praktika mund të them se prokuroria shpesh nuk i vë në dispozicion aktet mbi të cilat ka ngritur konkluzionet e saj për fajësinë e të pandehurve,” tha Duraj.