Vendosni fjalën kyçe....

Zhupa: Qeveria “bleu” deklaratat e Mogherinit, i dha 17 milionë euro për godinat e Kolegjit të Evropës


Deputetja demokrate Ina Zhupa kritikoi ashpër qeverinë nga foltorja e Kuvendit, duke përmendur rastin e ndalimit të Federica Mogherinit, rektore e Kolegjit të Evropës dhe ish-përfaqësuese e lartë e BE-së për Politikën e Jashtme.

Zhupa tha se qeveria shqiptare i ka dhënë Mogherinit 17 milionë euro për projektin e Kolegjit të Evropës në Tiranë, ndërsa nënvizoi se këto para po përdoren në shkëmbim të deklaratave të favorshme në Bruksel për ecurinë e Shqipërisë drejt integrimit.

“Sepse është ndërkombëtare dhe drejton këtë kolegj, ajo merr miliona euro nga buxheti i një shteti të varfër që nuk investon në arsim. Janë 17 milionë euro nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit për godinat, si dhe godina të dhuruara nga Këshilli Bashkiak i Tiranës, vetëm për t’i bërë qejfin ndërkombëtarëve të korruptuar, që më pas ajo të deklaronte sa afër është qeveria shqiptare me integrimin dhe me objektivin 2030. Këto janë broçkulla të paguara shtrenjtë me paratë e taksapaguesve shqiptarë”, u shpreh Zhupa.

Ajo kujtoi se për atë territor ekzistonte që në vitin 2013 një vendim për të ndërtuar një kampus universitar për studentë dhe pedagogë, të cilët sot vazhdojnë të mësojnë në kushte që, sipas saj, nuk kanë asnjë lidhje me standardet evropiane.

“Më e frikshme është të shohësh buxhetin e arsimit. Shqipëria akordon shumë pak fonde për arsim,” tha Zhupa, duke theksuar se prioritetet e qeverisë janë tërësisht të gabuara.