
Kuvendi i Shqipërisë zhvillon sot seancën plenare, e cila pritet të jetë një nga më të ngarkuarat e muajve të fundit, me një rend dite që përfshin raportime institucionale, projektligje të rëndësishme dhe votime për pozicione kyçe në administratë.
Në fillim të seancës, deputetët do të shqyrtojnë Raportin vjetor të veprimtarisë së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2024, i cili përmbledh performancën e institucionit, sfidat dhe rekomandimet për përmirësimin e proceseve zgjedhore.
Më tej, Kuvendi do të kalojë në shqyrtimin e disa projektligjeve, mes të cilave tre që lidhen me financimin e projekteve hekurudhore, pjesë e Korridorit VIII, si dhe disa nisma të tjera që prekin sektorin energjetik, përfshirë marrëveshje huaje dhe garancie me BERZH për projektet fotovoltaike të KESH-it.
Në seancë do të diskutohet edhe projektligji që zgjeron përgjegjësitë e prodhuesve të produkteve që gjenerojnë mbetje, projektligji për sektorin minerar, si dhe ndryshimet në ligjet që lidhen me shërbimet biocide dhe me rolin e Kuvendit në procesin e integrimit europian.
Ndër pikat kryesore të ditës përfshihet edhe projektligji për ndryshimet në ligjin “Për Avokatin e Popullit”, si dhe tre projektvendime të rëndësishme, ndër to zgjedhja e Komisionerit për Mbikëqyrjen e Shërbimit Civil. Komisioni për Çështjet Ligjore ka kualifikuar Lefterije Lleshin si kandidaten e vetme që plotëson kushtet ligjore për këtë detyrë.
Gjithashtu, pritet të votohet emërimi i anëtarit të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe ngritja e një nënkomisioni për Auditimin e Sektorit Publik.
Seanca do të nisë në orën 10:00 dhe do të vijojë me diskutime edhe për çështje jashtë rendit të ditës.