Vendosni fjalën kyçe....

Trupat britanike në Kenia akuzohen për përdhunime, sulme dhe braktisje të fëmijëve me gratë vendase


Një hetim parlamentar në Kenia ka akuzuar trupat britanike që stërviten atje për sjellje të pahijshme seksuale dhe dëmtim mjedisor, gjë që ka bërë që forcat ish-koloniale të shihen si një “prani pushtuese”.

Gjetjet e hetimit nga një komitet parlamentar i pëqendruar në mbrojtjen dhe marrëdhëniet e jashtme nxjerrin në pah rritjen e pakënaqësisë në vendin e Afrikës Lindore për sjelljen e ushtarëve nga Njësia Britanike e Stërvitjes Ushtarake në Kenia (BATUK), të cilët janë përballur me një sërë akuzash shumë të publikuara vitet e fundit.

Një zëdhënës i Ministrisë britanike të Mbrojtjes tha në një deklaratë për Reuters se ministria shpreh keqardhjen e thellë për “sfidat që kanë lindur në lidhje me praninë tonë mbrojtëse në Kenia” dhe tha se ishte e përgatitur të hetonte akuzat e reja në raport pasi të siguroheshin provat.

Mijëra trupa britanike mund të kalojnë nëpër Kenia për misione stërvitore gjatë një viti.

Akuza më e spikatur lidhet me vrasjen e 21-vjeçares Agnes Wanjiru në vitin 2012, pranë kampit stërvitor të forcave britanike në qytetin Nanyuki. I dyshuari, një ushtar britanik i quajtur Robert Purkiss, u arrestua në Britani muajin e kaluar pas vitesh fushatash nga familja e Wanjiru dhe grupet e të drejtave të njeriut në Kenia, të cilët thanë se vrasësit e saj po mbroheshin nga një marrëveshje bashkëpunimi për mbrojtjen ndërmjet dy vendeve.

Purkiss, i cili tani përballet me seanca dëgjimore për ekstradim, ka mohuar çdo përfshirje në vdekjen e Wanjiru.

Raporti i komitetit, i cili daton në 25 nëntor, por u publikua në faqen e parlamentit të martën, tha se kishte “zbuluar një trend shqetësues të sjelljes së pahijshme seksuale nga personeli i BATUK, e shënuar nga përdhunimi, sulmi dhe braktisja e fëmijëve të lindur nga ushtarët”.

Ai tha se dëgjesat publike në zonat ku BATUK stërvitet kanë nxjerrë në dritë prova të lëndimeve dhe vdekjeve të shumta të kenianëve të punësuar nga forcat britanike për të pastruar municionet e pashpërthyera pa pajisje mbrojtëse, si dhe dëmtim mjedisor të shkaktuar nga hedhja e paligjshme e materialeve toksike.

“BATUK shihet gjithnjë e më shumë si një prani pushtuese sesa si një partner zhvillimi,” tha ai.

Në një deklaratë që i dha komitetit parlamentar, BATUK tha se ka tolerancë zero për shfrytëzimin dhe abuzimin seksual dhe i merr shumë seriozisht çdo pretendim. Ajo shtoi se auditimet mjedisore treguan nivele të larta të pajtueshmërisë me rregulloret keniane.

Marrëveshja e tanishme e bashkëpunimit të mbrojtjes midis Britanisë dhe Kenias u nënshkrua në vitin 2021 dhe skadon vitin e ardhshëm, shkruan Reuters.