
Dy bashkëkryetarët e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Damian Gjiknuri dhe Oerd Bylykbashi, zhvilluan sot një takim me ambasadorin e OSBE-së në Tiranë, Michel Tarran.
Pas takimit, bashkëkryetari socialist Damian Gjiknuri ndau detaje përmes një reagimi në rrjetet sociale, ku theksoi se nga OSBE-ja është kërkuar mbështetje teknike dhe ekspertizë për çështjet ku palët politike nuk arrijnë dakordësi.
Në deklaratën e tij, ai shkruan: “Praktika tashmë e konsoliduar e këtij komisioni e ka pjesë të rëndësishme jo vetëm mbështetjen teknike nga përfaqësia e OSBE në Tiranë por edhe ndihmën me ekspertizë nga ODIHR për çështje për të cilat palët nuk arrijnë dakordësi.”
Më herët, ai bëri të ditur se ambasadori Tarran është informuar mbi hapat e deritanishëm të procesit, duke përfshirë konstituimin dhe nisjen e punës konkrete të komisionit sipas kalendarit të miratuar.
Gjiknuri, duke falënderuar OSBE-në për mbështetjen e vazhdueshme, nënvizoi rëndësinë e rolit të organizatës në avancimin e proceseve demokratike në vend.