
Pjesë të Azisë u tronditën pasi rrëketë e shiut shkaktuan përmbytje katastrofike dhe rrëshqitje toke javën e kaluar, duke vrarë më shumë se 1,400 njerëz në Indonezi, Sri Lanka, Tajlandë dhe Malajzi. Fatkeqësia ka nxjerrë në pah gjithashtu pabarazitë e mëdha ekonomike në rajon.
Indonezia ka pësuar goditjen më të rëndë, duke regjistruar të paktën 753 vdekje, e ndjekur nga Sri Lanka me 465. Presidenti i Sri Lankës, Anura Kumara Dissanayake, tha se është shumë herët për të përcaktuar numrin e saktë të të vdekurve në vendin e tij. Të paktën 185 persona në Tajlandë dhe tre në Malajzi janë konfirmuar gjithashtu të vdekur.
Ekipet e shpëtimit të mërkurën po garonin me kohën për të arritur në komunitetet e izoluara, pasi më shumë se 1,000 persona mbeten të zhdukur dhe fshatrat janë të varrosura nën baltë dhe mbeturina për shkak të ndërprerjeve të vazhdueshme të energjisë elektrike dhe telekomunikacionit, shkruan AP.
Presidenti i Indonezisë, Prabowo Subianto, vizitoi të hënën një zonë katastrofe, duke premtuar ndihmë dhe mbështetje për rindërtimin, megjithëse ende nuk ka shpallur një emergjencë kombëtare dhe as nuk ka kërkuar ndihmë ndërkombëtare, njësoj si homologu i tij në Sri Lankën e goditur nga përmbytjet.
Indonezia dhe Tailanda e goditura rëndë, të dyja ekonomi me të ardhura të mesme me kapacitet fiskal relativisht më të fortë, janë në gjendje të mobilizojnë operacione të gjera shpëtimi, të vendosin asete ushtarake dhe të kanalizojnë fonde emergjente, ndërsa Sri Lanka po përgjigjet në kushte shumë më të tendosura.