
Kryeministri polak Donald Tusk dhe kancelari gjerman Friedrich Merz u përplasën të hënën lidhur me kërkesat për dëmshpërblime dhe kthimin e pasurive të grabitura gjatë pushtimit nazist të Polonisë.
Debati i hapur mes dy liderëve, të cilët kishin premtuar të forconin marrëdhëniet e brishta dypalëshe, hodhi një hije mbi samitin në Berlin, i cili synonte të demonstronte unitet në fusha si mbrojtja dhe mbështetja për Ukrainën.
“Duhet të ruajmë kujtesën historike, edhe atë të dhimbshmen,” deklaroi Merz, duke apeluar për qasje pajtuese. Por Tusk, i vënë nën presion nga opozita nacionaliste PiS, mbajti një ton më të ashpër, duke kundërshtuar logjikën e Berlinit për refuzimin e pagesës së dëmshpërblimeve.
“Sot të gjithë në Poloni e dimë se vendi ynë nuk ka marrë kompensimin e duhur për krimet dhe shkatërrimet e Luftës së Dytë Botërore,” tha ai.

Që prej rikthimit në pushtet më 2023, Tusk kishte zbutur kërkesën e qeverisë së mëparshme për 1.3 trilionë euro nga Gjermania. Berlini këmbëngul se çështja është ligjërisht e mbyllur, duke iu referuar heqjes dorë të Polonisë nga pretendimet në vitet 1950. Por Tusk e vuri më dyshim vlefshmërinë e saj, duke theksuar se atë kohë Polonia ishte nën kontrollin sovjetik dhe nuk kishte liri të shprehte vullnetin e vet.
Këto tensione kërcënojnë të minojnë përpjekjet e të dy palëve për të bashkërenduar qëndrimet në çështje të tjera të rëndësishme, përfshirë kontrollet kufitare dhe hetimin për shpërthimet në tubacionet Nord Stream.

Ndërkohë, qeveria gjermane njoftoi disa hapa simbolikë për të adresuar ndjeshmëritë polake: ndërtimin e një memoriali në Berlin për viktimat polake të nazizmit, rikthimin e artefakteve kulturore të grabitura dhe shqyrtimin e mbështetjes financiare për të mbijetuarit që ende jetojnë — një propozim që ende nuk është vënë në zbatim. Tusk kërkoi urgjencë, duke vënë në dukje se numri i të mbijetuarve po pakësohet me shpejtësi.
Megjithë përplasjen, të dy liderët theksuan nivelin e lartë të bashkëpunimit në çështjen e Ukrainës dhe paralajmëruan kundër forcimit të narrativave radikale që synojnë të nxisin ndjenja anti-polake dhe anti-gjermane, shkruan Politico.