
Kremlini njoftoi se presidenti rus Vladimir Putin do të zhvillojë një takim sot pasdite me biznesmenin amerikan Steve Witkoff. Zëdhënësi Dmitry Peskov tha se takimi do të mbahet “në pjesën e dytë të ditës”, duke refuzuar të komentojë mbi “vijat e kuqe” të Rusisë dhe duke theksuar se “diplomacia me megafon” nuk është e dobishme, përcjell Guardian.
Takimi vjen në një moment kur Witkoff është vënë nën kritika, pasi sipas një regjistrimi të publikuar nga Bloomberg, gjatë një bisede telefonike më 14 tetor me Yuri Ushakov – këshilltarin kryesor të Putinit për politikën e jashtme – ai ka sugjeruar se paqja në Ukrainë do të kërkonte kontroll rus mbi Donetskun dhe një shkëmbim të mundshëm territoresh.
Në bisedë, Witkoff gjithashtu i kishte këshilluar Ushakovit të uronte Donald Trumpin dhe t’i paraqiste diskutimet në mënyrë më optimiste. Regjistrimi ofron një pasqyrë të drejtpërdrejtë mbi qasjen negociuese të Witkoff-it dhe duket se zbulon burimin e propozimit amerikan me 28 pika, i cili u shfaq në fillim të nëntorit.