Vendosni fjalën kyçe....

OSSH synon të investojë 150 milionë euro në rrjetin e shpërndarjes në dy vitet e ardhshme


Operatori i Sistemit të Shpërndarjes, pjesë e OSHE Group synon që të investojë në rrjetin e shpërndarjes së energjisë të paktën 15.5 miliardë lekë apo rreth 150 milionë euro në dy vitet e ardhshme.

Sipas tabelave që shoqërojnë planin e saj të rishikuar të investimeve 2023-2027 janë një sërë elementësh tek të cilat do të ndalen këto shpenzime por që kryesisht synojnë zonat më problematike ku që kanë predispozitë për defekte por edhe rritjen e kapaciteteve për rajone ku volumet e transmetimit kanë ndryshuar si rrjedhojë urbanizimit.

Konkretisht për vitin 2026 plani parashikon një fond prej 8.1 miliardë lekë ndërsa për vitin 2027 një fond prej 7.1 miliardë lekësh. Në total përgjatë gjithë viteve që parashikon plani i investimeve janë 42.4 miliardë lekë apo 424 milionë euro.

Vetë OSSh argumenton para Entit Rregullator të Energjisë objektivat që ka ky plan investimi i rishikuar për të cilin tashmë vetë ERE ka filluar procedurën e shqyrtimit.

“Në përfundim të këtij relacioni, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes paraqet për miratim pranë Entit të Energjisë Planin 5-vjeçar të përditësuar të investimeve për periudhën 2023–2027, i hartuar në përputhje me kërkesat rregullatore që rrjedhin nga zhvillimi i sektorit të energjisë elektrike, si edhe me detyrimet ligjore dhe kuadrin aktual rregullator.

Objektivat kryesore synojnë:

Rritjen e kapaciteteve të nënstacioneve ekzistuese dhe ndërtimin e nënstacioneve të reja, për të përballuar kërkesat në rritje.

Zgjerimin e rrjetit 35 kV, për të adresuar kufizimet e rrjedhjes së ngarkesës dhe për të përmirësuar cilësinë e furnizimit me energji elektrike.

Investime në rrjetin 10 kV dhe 6 kV, me qëllim ndarjen e ngarkesave në fiderat dalës dhe përmirësimin e infrastrukturës në zonat rurale dhe periferike.

Rikonstruksionin e rrjetit TM 20 kV dhe ndërtimin e rrjetit të ri 20 kV, duke kaluar rrjetin nga 10 kV dhe 6 kV në 20 kV, për të rritur sigurinë, cilësinë e rrjetit dhe reduktimin e humbjeve.

Rritjen e sigurisë dhe saktësisë në matje, përmes futjes së teknologjive të reja që kontribuojnë në mbrojtjen dhe ruajtjen e sistemit të matjes” thuhet në dokument./Monitor