
Të ardhurat e gjigantëve ushtarakë kinezë ranë ndjeshëm vitin e kaluar, pasi një valë spastrimesh për korrupsion ka ngadalësuar në mënyrë drastike kontratat dhe proceset e prokurimit ushtarak.
Ky është përfundimi i një studimi të ri të publikuar nga Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve të Paqes në Stokholm (SIPRI).
Të dhënat tregojnë se rënia e Kinës vjen në kontrast të plotë me rritjen globale të të ardhurave të kompanive të mëdha të industrisë së armëve, të nxitura nga luftërat në Ukrainë e Gaza dhe tensionet e rritura ndërkombëtare.
Sipas Nan Tian, drejtor i programit të SIPRI-t për shpenzimet ushtarake dhe prodhimin e armëve, “një sërë akuzash për korrupsion në prokurimin e armëve në Kinë çuan në shtyrjen ose anulimin e kontratave të mëdha gjatë vitit 2024, duke thelluar pasigurinë mbi modernizimin ushtarak të vendit.”
Rënie 10% për Kinën, rritje deri në 40% në vendet e tjera
Rënia e të ardhurave ndodhi edhe pse Pekini ka rritur buxhetin e mbrojtjes për tri dekada me radhë, në sfondin e rivalitetit strategjik me SHBA-në dhe tensioneve në Tajvan e Detin e Kinës Jugore.
Të ardhurat e kompanive kryesore kineze ranë 10%.
Japonia shënoi rritje 40%, Gjermania 36%, ndërsa SHBA-ja 3.8%.
Në total, të ardhurat e 100 prodhuesve më të mëdhenj të armëve në botë u rritën në një rekord prej 679 miliardë dollarësh, sipas raportit.
Rënia e Kinës bëri që rajoni Azi-Oqeani të jetë i vetmi në botë me ulje të të ardhurave në industrinë ushtarake.
Spastrimi godet nivelet e larta të ushtrisë dhe kompanitë kryesore
Lëvizjet ndëshkuese kundër korrupsionit, të cilat nisën në vitin 2012 nga Presidenti Xi Jinping, u thelluan në vitin 2023, kur në shënjestër u vendos Forca e Raketave – trupat elite që administrojnë raketat balistike dhe armët hipersonike të Kinës.
Në tetor u përjashtuan nga Partia Komuniste tetë gjeneralë të lartë, përfshirë edhe numrin dy të ushtrisë, He Weidong, i cili kishte shërbyer nën Xi në Komisionin Qendror Ushtarak.
Analistët thonë se ndikimi real i pastrimit është ende i paqartë, por ndërhyrjet pritet të kenë vonuar projekte të rëndësishme të modernizimit ushtarak.

Rënie të mëdha te prodhuesit kryesorë
SIPRI raporton se:
AVIC, kompania më e madhe e armëve në Kinë, pati rënie të ndjeshme të të ardhurave, duke u prekur nga vonesat në dorëzimin e avionëve ushtarakë.
Norinco regjistroi rënien më të madhe, plot 31%, duke zbritur në 14 miliardë dollarë.
CASC, prodhuesi kryesor i raketave dhe sistemeve hapësinore, u godit nga ndryshimet e papritura në nivelet e larta drejtuese.
Këto zhvillime pritet të vonojnë disa projekte strategjike të Forcës së Raketave – duke prekur raketat balistike, sistemet hipersonike dhe programet kibernetike.
Modernizimi i ushtrisë – i ngadalësuar, por jo i ndalur
Sipas studiuesit të SIPRI-t, Xiao Liang, objektivi i ushtrisë kineze për të qenë plotësisht e modernizuar deri në vitin 2027 – 100-vjetorin e themelimit të Ushtrisë së Kuqe – mund të rrezikohet.
Megjithatë, Liang thekson se investimet afatmesme dhe afatgjata do të vazhdojnë: “Modernizimi nuk do të ndalet, por do të ketë vonesa, kosto më të larta dhe kontroll më të rreptë të prokurimeve.”
Pavarësisht rënies, Kina mbetet në mes të një rindërtimi të fuqishëm ushtarak, me flotën më të madhe detare në botë, një aeroplanmbajtëse të re dhe zhvillimin e armëve të avancuara hipersonike.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters