
Kryeministri Edi Rama, në episodin e tetë të podcastit “Flasim”, u ndal te çështja e pezullimit të ish-zv.kryeministres Belinda Balluku, vendim i dërguar aktualisht për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.
Rama e cilësoi si precedent të rrezikshëm atë që ndodhi në GJKKO, duke thënë se “një prokuror dhe një gjykatës u bënë bashkë, kokë më kokë, dhe shkarkuan një ministre dhe zv/kryeministre”, duke ndërhyrë, sipas tij, në një vendimmarrje që i përket politikës.
Ai iu referua edhe opinionit të Komisionit të Venecias dhe vendimeve të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, të cilat, siç tha, e konsiderojnë cenim të balancës së pushteteve ndërhyrjen e gjykatave në shkarkimin e ministrave, duke theksuar se këta të fundit mbajnë funksione politike dhe jo administrative.