
Franca do të nisë një program të ri shërbimi ushtarak vullnetar për 18 dhe 19-vjeçarët duke filluar nga vera e vitit 2026, njoftoi Presidenti Emmanuel Macron të enjten gjatë një fjalimi në Varces, në Alpet franceze, përcjell Euronews.
Programi do të përzgjedhë të rinjtë gjatë një “dite mobilizimi”, bazuar në motivimin e tyre dhe nevojat e forcave të armatosura. Shërbimi do të zgjasë 10 muaj: një muaj trajnim bazë ushtarak dhe përdorimi i armëve, i ndjekur nga nëntë muaj shërbim në një njësi ushtarake të dislokuar vetëm në territorin francez.
Vullnetarët do të paguhen dhe do të marrin pjesë në të gjitha misionet, përfshirë Operacionin Sentinelle, që prej vitit 2015 garanton sigurinë e brendshme në Francë.
Macron tha se programi synon të përfshijë 3,000 të rinj në vitin 2026, 10,000 deri në vitin 2030 dhe rreth 50,000 deri në vitin 2035. Ai përjashtoi rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, i cili u pezullua në vitin 1996 dhe përfundoi në 2001, duke theksuar se një model i tillë do të kërkonte rekrutimin e 600 deri në 800 mijë të rinjve çdo vit.
“Na duhet mobilizim,” deklaroi Macron, duke shtuar se Franca duhet të jetë “gati dhe e respektuar”, pa përmendur ndonjë armik specifik. Ai e përshkroi nismën si një përgjigje ndaj “përshpejtimit të krizave” që po përballon vendi.
Ky njoftim i jep fund praktikisht programit të Shërbimit Kombëtar Universal, një skemë e angazhimit qytetar që Macron e kishte mbështetur më herët për gjithë të rinjtë.
Ditët e fundit, debati publik u tensionua pasi Shefi i Shtabit të Mbrojtjes, Gjeneral Fabien Mandon, paralajmëroi se Franca duhet të përgatitet “të pranojë humbjen e fëmijëve të saj” në rast përshkallëzimi të kërcënimeve nga Rusia. Macron sqaroi të martën se programi i ri “nuk ka të bëjë me dërgimin e të rinjve në Ukrainë”.
Programi nis në një periudhë kur Franca po përballet me kufizime të forta buxhetore dhe synon të ulë borxhin publik.
Aktualisht, dymbëdhjetë vende europiane kanë shërbim të detyrueshëm ushtarak. Norvegjia, të cilën Macron e përmendi si model, përzgjedh rreth 15% të çdo brezi për një shërbim 12-mujor bazuar në aftësitë dhe motivimin e tyre.