Vendosni fjalën kyçe....

Dumani reagon për debatin mbi sekretin hetimor: Duhet ruajtur, ashtu si të drejtat e palëve në proces


Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, Altin Dumani, ka reaguar për herë të parë lidhur me debatin publik të ditëve të fundit mbi ruajtjen e sekretit hetimor dhe publikimin e informacioneve nga dosje të ndryshme të SPAK-ut.

Në një takim informal me gazetarët, Dumani theksoi se transparenca dhe konfidencialiteti i hetimeve janë të ndara nga një “vijë shumë e hollë”, duke pranuar se në disa raste mund të ketë pasur shkelje.

“E ndan një vijë shumë e hollë transparencën nga ruajtja e sekretit hetimor. Sekreti i hetimit dhe të drejtat e palëve në proces duhen ruajtur”, u shpreh ai.

Gjatë bisedës me gazetarët, në javën e tij të fundit në krye të SPAK, Dumani foli edhe për sfidat e detyrës që ka mbajtur për tre vjet.

 Ai tha se drejtimi i organit qendror të akuzës nuk ka qenë i lehtë, por se puna e institucionit ka fituar besimin e partnerëve ndërkombëtarë.

“Nuk ka qenë e lehtë puna, SPAK në vite ka arritur të krijojë besim te partnerët. Shumë çështje do doja t’i kisha bërë në muajin e dytë të punës, por çdo gjë do kohën e vet”, deklaroi Dumani.

I pyetur për deklaratat e bëra publikisht se ai dhe prokurorët e tjerë janë kërcënuar, Dumani e konfirmoi: “Ka pasur kërcënim ndaj prokurorëve dhe institucionit.”