Vendosni fjalën kyçe....

Zjarr masiv në Hong Kong, të paktën 14 të vdekur në një kompleks


Një zjarr shkatërrues ka përfshirë kompleksin rezidencial Wang Fuk Court në Tai Po të Hong Kongut, duke shkaktuar të paktën 14 viktima dhe duke dëmtuar rëndë disa prej ndërtesave të tij.

Zjarri nisi në orët e para të ditës së sotme dhe për orë të tëra ka vazhduar të përhapet mes godinave të kompleksit të madh banesor.

Autoritetet konfirmuan se shtatë nga tetë kullat e kompleksit janë përfshirë nga flakët, ndërsa qindra zjarrfikës po luftojnë për të vënë situatën nën kontroll.

Banorët e bllokuar në apartamente janë këshilluar të qëndrojnë brenda dhe të presin ndërhyrjen e ekipeve të shpëtimit.

Kompleksi Wang Fuk Court, i ndërtuar në vitin 1983, përfshin 1,984 apartamente dhe strehon rreth 4,643 banorë, mbi një e treta e të cilëve janë të moshuar, përcjell Reuters.

Godinat ndodhen pranë shkollave, qendrave tregtare dhe zonave të banuara, ndërsa stacioni më i afërt i zjarrfikësve është rreth 10 minuta larg.

Pamjet nga vendngjarja tregojnë ndërhyrjen dramatike të zjarrfikësve dhe trupat e viktimave që nxirren nga ndërtesat e djegura.

Një e moshuar 70-vjeçare, e identifikuar vetëm me mbiemrin Wong, tregoi për Reuters se ka parë flakët të përhapen “bllok pas blloku”, ndërsa shumë prej banorëve ende nuk kanë informacion për të afërmit e tyre.

“E pashë bllokun ngjitur duke marrë flakë dhe pastaj radhazi u përfshinë edhe të tjerët. Shumë persona po qajnë, disa ende kërkojnë familjarët e tyre,” tha ajo, duke shtuar se kishte vetëm një muaj që ishte dalë në pension dhe planifikonte të udhëtonte.

Kompleksi ka qenë prej një viti në proces rinovimi me një fond prej 330 milionë dollarë hongkongas, ndërsa banorët kanë paguar shuma të konsiderueshme për punimet në apartamente.

Autoritetet lokale pritet të mbajnë një konferencë të posaçme për shtyp mbi situatën dhe shkakun e mundshëm të zjarrit, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vazhdojnë.

Në vijim pritet konfirmimi i numrit të saktë të viktimave dhe të zhdukurve.