Vendosni fjalën kyçe....

Rusia dënon ashpër publikimin e audios së bisedës Witkoff–Ushakov: Është i papranueshëm dhe akt “lufte hibride”


Moska ka dënuar me tone të forta publikimin e një regjistrimi të bisedës mes këshilltarëve të Donald Trump dhe Vladimir Putin, duke e cilësuar këtë veprim si një përpjekje për të minuar negociatat për paqen në Ukrainë dhe si një formë të “luftës hibride” ndaj Rusisë.

Agjencia Bloomberg publikoi transkriptin e një telefonate të 14 tetorit, ku emisari i presidentit amerikan, Steve Witkoff, i jepte këshilla zyrtarit të lartë të Kremlinit, Yuri Ushakov, mbi mënyrën se si të paraqitej një plan paqeje për Ukrainën para Donald Trump.

Bloomberg tha se e kishte dëgjuar regjistrimin, por nuk zbuloi burimin e këtij materiali tepër sensitiv mes dy fuqive më të mëdha bërthamore në botë.

Duke folur për mediat ruse, Ushakov deklaroi se bisedat e tij me Witkoff nuk ishin të destinuara për publikim dhe se rrjedhja e tyre nuk mund të tolerohet, përcjell Reuters.

“Kjo është e papranueshme,” tha ai, duke shtuar se publikimi ishte qartazi një përpjekje për të penguar diskutimet midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Në një intervistë për gazetën Kommersant, Ushakov theksoi se një pjesë e komunikimeve ishin zhvilluar përmes kanaleve të koduara qeveritare, të cilat rrallëherë përgjohet, “përveçse kur një nga palët ka qëllim ta bëjë këtë.”

Ushakov hodhi poshtë mundësinë që rrjedhja të ketë ardhur nga pjesëmarrësit e telefonatës dhe theksoi se çështja do të ngrihet në bisedimet e tij të ardhshme me Witkoff.

Kreu i Fondit Rus të Investimeve Direkte (RDIF), Kirill Dmitriev, i cili është gjithashtu i përfshirë në kanalet e komunikimit SHBA–Rusi, deklaroi se raportimi i Bloomberg për një telefonatë tjetër të 29 tetorit, ku ai fliste me Ushakovin, ishte “fake”.

 

Ministria e Jashtme ruse akuzon Evropën për “luftë hibride”

Zëvendësministri i Jashtëm Sergei Ryabkov akuzoi disa media perëndimore se po përdoren si instrumente të një lufte informative të Perëndimit kundër Rusisë, me synimin për të dëmtuar marrëdhëniet e Moskës me Uashingtonin.

Bloomberg nuk komentoi kritikat e Rusisë dhe nuk sqaroi origjinën e regjistrimeve.

Ndërkohë, publikimi i këtyre bisedave ka rritur tensionet në një moment kur SHBA dhe Rusia po diskutojnë, përmes kanaleve joformale, mundësinë e një marrëveshjeje që mund të ndikojë ndjeshëm në konfliktin e Ukrainës.