Vendosni fjalën kyçe....

Goditen dy raste të lojërave të fatit në Mullet dhe Farkë, katër persona në pranga


Policia e Tiranës ka zbuluar dhe goditur dy raste të organizimit të paligjshëm të lojërave të fatit në zonat e Mulletit dhe Farkës, në kuadër të operacionit të koduar “Game”, duke vënë në pranga katër persona dhe duke sekuestruar pajisje të përdorura për këtë veprimtari.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, operacioni u zhvillua nga Komisariati Nr. 1, pas informacioneve operative për ambiente të vëna në dispozicion për organizimin e lojërave të fatit. Gjatë kontrolleve në një lokal në fshatin Mullet, në pronësi të 36-vjeçarit R. K., u gjet një makinetë lojërash. Policia arrestoi R. K., si dhe 29-vjeçarin K. K., i cili u kap duke luajtur.

Në një lokal tjetër në Farkë, shërbimet e policisë kapën duke luajtur lojëra fati 20-vjeçarin F. A. dhe 18-vjeçarin E. V., të cilët u arrestuan në flagrancë.

Në të dy kontrollet u sekuestruan një makinetë lojërash fati, një kompjuter, katër celularë dhe një shumë parash. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.