Vendosni fjalën kyçe....

Përplasje në Librazhd gjatë aksionit të IKMT, pronarët kundërshtojnë prishjet, pretendojnë mungesë kompensimi



Në hyrje të qytetit të Librazhdit ka vijuar edhe sot aksioni i Inspektoratit Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit (IKMT), pjesë e projektit publik për zgjerimin e segmentit rrugor Dalje Elbasan – Prrenjas – Qafë-Thanë, Faza IV. Prej së martës së kaluar, IKMT ka nisur prishjen e 22 godinave të bizneseve përgjatë aksit, por tensionet janë rritur këtë të martë për shkak të rezistencës së pronarëve.

Bizneset e prekura kundërshtojnë prishjet duke deklaruar se kompensimi financiar që u është ofruar është shumë më i ulët se vlera reale e pronave dhe investimeve të tyre. Ata thonë se objektet i kanë boshatisur që më 17 nëntor 2025, por nuk pranojnë vijimin e procesit pa marrë pagesat e shpronësimit. “Ne po kundërshtojmë për lekët, jo për objektin”, është shprehur një nga pronarët, duke shtuar se asnjë institucion nuk po i mbron interesat e tyre.

Për garantimin e zbatimit të projektit, aksionit të IKMT-së i është bashkuar edhe policia e Librazhdit. Kryekomisarja Nertila Meta u bëri thirrje pronarëve të mos pengojnë punonjësit e IKMT-së, duke paralajmëruar ndjekje ligjore ndaj çdo akti kundërshtimi. “Për çdo veprim pengues do të mbani përgjegjësi ligjore”, deklaroi ajo.

IKMT, nga ana e saj, njofton se të gjitha objektet e parashikuara për prishje janë shpronësuar sipas ligjit dhe se projekti përbën një investim strategjik që pritet të sjellë përmirësim të infrastrukturës, rritje të sigurisë rrugore dhe zhvillim ekonomik për qarkun e Elbasanit.

Pavarësisht garancive zyrtare, situata në terren mbetet e tensionuar, ndërsa prishjet pritet të vijojnë sipas planit të punimeve.