
Prokurori i Përgjithshëm i Spanjës, Álvaro García Ortiz, dha dorëheqjen të hënën, duke u larguar nga detyra para se të hynte në fuqi një vendim gjyqësor që i ndalonte atij mbajtjen e funksioneve publike për dy vjet.
Gjykata e Lartë e Spanjës javën e kaluar e dënoi García Ortiz-in për zbulimin e hollësive të një hetimi tatimor që përfshinte partnerin e udhëheqëses rajonale të Madridit, Isabel Díaz Ayuso, një yll në rritje mes votuesve konservatorë të vendit.
Prokurori i Përgjithshëm në largim mohon zbulimin e informacionit ndërkohë disa gazetarë që publikuan shkrime rreth hetimit dëshmuan se ai nuk ishte burimi i tyre. Megjithëse gjykata njoftoi vendimin fajësues ndaj García Ortiz-it brenda pak ditësh nga përfundimi i gjyqit të tij, paneli i gjyqtarëve që e gjykuan atë ende nuk ka publikuar arsyetimin ligjor pas vendimit.
Në një letër dorëheqjeje drejtuar ministrit të Drejtësisë, Felix Bolanos, García Ortiz tha se “respekti i tij i thellë” për vendimet gjyqësore dhe “dëshira për të mbrojtur Zyrën e Prokurorit Publik Spanjoll” e detyronin atë të largohej menjëherë.
Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez të dielën tha se “i vinte keq” për dënimin dhe pohoi se besonte pafajësinë e Prokurorit të Përgjithshëm në largim. Por ai gjithashtu nënvizoi shenjtërinë e sundimit të ligjit në Spanjë, duke këmbëngulur se qeveria “i respekton vendimet dhe u përmbahet atyre”.
Sánchez shtoi se ekzistonin kanale ligjore përmes të cilave García Ortiz mund të “adresojë çdo aspekt të diskutueshëm të këtij vendimi”. Prokurori i Përgjithshëm në largim mund të paraqesë një ankesë në Gjykatën Kushtetuese të vendit, apo edhe të kërkojë ta sfidojë atë përtej kufijve të Spanjës, shkruan Politico.
Dënimi i García Ortiz-it ka shkaktuar polemika të mëdha në Spanjë, me opinionet të ndara kryesisht përgjatë vijave ideologjike. Ndërsa Partia Popullore e qendrës së djathtë dhe grupi tjetër i djathtë Vox kanë përshëndetur vendimin e gjykatës, koalicioni qeverisës i Sánchez-it ka mbështetur prokurorin e dorëhequr, duke akuzuar gjyqësorin se është përdorur nga forcat politike konservatore. Grupet më pak miqësore me Sánchez-in kanë mbajtur gjithashtu anën e García Ortiz-it, duke përmendur përvojat e tyre të pakënaqura me të ashtuquajturën “luftë ligjore” në Spanjë.
Javën e kaluar, partia separatiste katalanase Junts, e cila së fundmi zhvilloi një ndarje publike me qeverinë spanjolle, tha se nuk ishte e befasuar nga vendimi “sepse e dimë se si funksionon Gjykata e Lartë”. Partia zakonisht kritike e së majtë Podemos tha të hënën se largimi i Prokurorit të Përgjithshëm ishte rezultat i një “grushti shteti gjyqësor”.