Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi: Shteti ligjor bie kur një e pandehur përdor Kryeministrinë si zyrë avokatie


Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër pasi Kryeministria dhe Këshilli i Ministrave i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e masës së sigurisë së dhënë ndaj ish-zv.kryeministres Belinda Balluku.

Bardhi e cilëson këtë ndërhyrje “akt të paprecedent” dhe “shkeljen më të rëndë të parimeve të shtetit ligjor”, duke theksuar se asnjë vend demokratik nuk lejon që qeveria të investohet institucionalisht për të ndryshuar një vendim gjyqësor që lidhet me një të pandehur individualisht.

“Shteti ligjor bie kur një e pandehur përdor qeverinë si zyrë avokatie,” shkruan Bardhi, duke theksuar se Balluku ka të drejtë të ndjekë vetë rrugët ligjore, por jo përmes Kryeministrisë.

Ai shton se kjo lëvizje është një “mesazh politik presioni ndaj drejtësisë”, me qëllim krijimin e një kulture pandëshkueshmërie dhe mbrojtjeje të posaçme për ish-zv.kryeministren, e cila tashmë është nën hetim si pjesë e aferave të rënda korruptive.

Bardhi paralajmëron se Gjykata Kushtetuese ndodhet përpara një prove të rëndësishme: “Të tregojë se pushteti gjyqësor nuk varet nga statusi i posaçëm që pushteti ekzekutiv i jep të pandehurve të veçantë.”

Sipas tij, ndërhyrja e qeverisë nuk synon një zgjidhje juridike, por vetëm dërgimin e një “mesazhi mafioz” ndaj organeve të drejtësisë.

 

Reagim i Kryeatrit të Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi

Për herë të parë në historinë e Shqipërisë, Kryeministri dhe Këshilli i Ministrave kanë ndërhyrë institucionalisht për të kërkuar shfuqizimin dhe pezullimin e një vendimi gjyqësor që cakton masa të sigurimit personal individualisht për një person. Askund, në asnjë vend demokratik, nuk ka ndodhur që Kryeministri dhe Këshilli i Ministrave të investohen institucionalisht në një rast individual për të goditur një masë sigurimi personal, qoftë kjo me karakter shtrëngues apo ndalues.

Pa asnjë dyshim që vetë e pandehura ka gjithë të drejtën që të ndjekë rrugët ligjore për mbrojtjen e saj, përfshirë ankimin e vendimit gjyqësor për caktimin e masës ndaluese, duke nisur me Gjykatën e Apelit – Gjykatën e Lartë – Gjykatën Kushtetuese. Por nuk ndodh askund që një i pandehur të përdor si Avokat, Kryeministrin/Këshillin e Ministrave, për të kërkuar shfuqizimin e një vendimi gjyqësor individual për të, apo të kërkojë përmes tyre pezullimin e efekteve të vendimit gjyqësor.

Ky është një akt i pastër dhe i paprecedent i mbrojtjes institucionale politike nga drejtësia. Ky është një mesazh i qartë politik i çimentimit të kulturës së pandëshkueshmërisë. Ky është një akt që provon se Edi Rama në emër të parimit “të ndarjes së pushteteve”, kërkon të shpallë Këshillin e Ministrave të pavarur nga detyrimi për të zbatuar me korrektësi ligjin. Ai kërkon t’i bëjë presion drejtësisë, me shpresën se do të nxjerrë jashtë binarëve kushtetues vetë Gjykatën Kushtetuese, që ekziston si garanci për kushtetutshmërinë dhe kurrsesi për pandëshkueshmërinë.

Është e qartë që kjo lëvizje ka vetëm efekte politike, më saktë është mjet presioni/mesazhi politik, dhe nuk synon zgjidhje juridike.

Prandaj, kërkesa e Edi Ramës, që synon vetëm të japë mesazhin mafioz për organet e drejtësisë se e pandehura Belinda Balluku nuk është si të gjithë të pandehurit e tjerë, por gëzon mbrojtje të posaçme politike/institucionale nga Kryeministri/Këshilli i Ministrave, meriton vetëm përbuzje, si një akt antidemokratik, antikushtetues, veçanërisht nga vetë organet e drejtësisë, përfshirë Gjykatën Kushtetuese, që është përpara sprovës për të mbrojtur të drejtën për hetim të plotë, të pacenueshëm, të gjithanshëm, të papenguar, të organeve hetimore. Ky është një moment i rëndësishëm në jetën institucionale të vendit për të provuar se pushteti gjyqësor nuk varet nga statusi i posaçëm që pushteti ekzekutiv i jep të pandehurve të veçantë, dhe se kushdo është i barabartë përpara ligjit.