Vendosni fjalën kyçe....

SHBA këmbëngul se ka hartuar planin e paqes për Ukrainën, pas pretendimeve për një “listë dëshirash” ruse


Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se plani 28-pikësh për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, i kritikuar gjerësisht si i favorshëm për Rusinë – është “hartuar nga SHBA”.

Deklarata e tij vjen pasi një grup senatorësh thanë se Rubio u kishte bërë të ditur se drafti, të cilin një prej tyre e quajti “listë dëshirash ruse”, nuk pasqyronte pozicionin zyrtar të Uashingtonit. Më vonë, Rubio u distancua nga këto pretendime, përcjell BBC.

“Plani është hartuar nga SHBA-ja, duke u bazuar në kontributin e Rusisë dhe Ukrainës,” tha ai.

 

Kundërshtim dhe konfuzion politik në Uashington

Rubio dha versionin e tij të qartë në prag të nisjes drejt Gjenevës, ku do të zhvillojë bisedime me zyrtarë të sigurisë ukrainas dhe europianë. Presidenti Donald Trump ka kërkuar që Kievi ta pranojë sa më shpejt planin.

Megjithëse drafti nuk është publikuar, detaje të shumta janë rrjedhur. Ndër to:

kërkesa që Ukraina të tërheqë trupat nga zonat lindore ku Rusia nuk ka arritur të përparojë me forcë

kufizimi i madhësisë së ushtrisë ukrainase

nene që aleatët europianë i konsiderojnë thellësisht problematike

Të shtunën, senatori republikan Mike Rounds tha se Rubio u kishte thënë ligjvënësve se drafti nuk ishte politikë zyrtare amerikane.

“Ajo që na tha është se ky nuk ishte propozimi amerikan,” – tha ai në Halifax Security Forum. Dhe shtoi se plani i ishte paraqitur të dërguarit të Trumpit jashtë vendit, Steve Witkoff, nga “dikush që përfaqësonte Rusinë”, duke theksuar: “Nuk është rekomandimi ynë. Nuk është plani ynë i paqes,” – tha ai.

Pak më vonë, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott, e quajti këtë rrëfim “skajshmërisht të rremë”, – tha ai.

Rubio, në një postim në rrjetet sociale, përsëriti:
“Propozimi për paqe është hartuar nga SHBA-ja. Ai bazohet në input nga pala ruse, por edhe nga input i kaluar dhe i vazhdueshëm nga Ukraina.”tha ai.

Trump: Plani nuk është “oferta përfundimtare”

Presidenti Trump, i cili e ka bërë fundin e konfliktit një prej prioriteteve të tij kryesore në politikën e jashtme, tha të shtunën se plani nuk përfaqëson një “ofertë finale” për Ukrainën.

Ai ka theksuar më herët se Presidenti Volodymyr Zelensky “do të duhet” ta pranojë marrëveshjen, një deklaratë që shkaktoi reagime të forta në Kiev dhe kryeqytetet europiane.