Vendosni fjalën kyçe....

Bllokimi i rrugës së re Qukës-Qafë Plloçë, ARRSH: Shiu çau skarpatën


Autoriteti Rrugor Shqiptar, ka thënë se rënia e gurëve në rrugën Qukës-Qafë Plloçë ka ndodhur për shkak të reshjeve të dendura që kanë çarë skarpatën.

Ai jep edhe disa këshilla për drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe të ulin shpejtësinë.

Rënia e masivit të gurëve në kilometrin 35 të rrugës Qukës-Qafë Plloçë bllokoi qarkullimin e mjeteve ndërsa lëvizja është devijuar në një bypass të përkohshëm.

Rruga e re u përurua pak muaj më parë nga kryeministri Rama dhe zv.kryeministrja Balluku, ku nuk munguan edhe festimet e kërcimet nën ritmet e daulles.

“Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë vendin kanë shkaktuar çarjen e skarpatës dhe rënien e gurëve në trup të rrugës në km 35 të aksit Qukës-Qafë Plloçë. Grupet e punës të ndodhura në terren, po bëjnë vlerësimin e situatës dhe kanë marrë të gjitha masat për krijimin e një bypass-i të përkohshëm me qëllim devijimin e trafikut në këtë segment, duke shmangur rrezikun ndaj përdoruesve të rrugës. I gjithë aksi është i hapur, i aksesueshëm pa probleme dhe në monitorim të vazhdueshëm. Autoriteti Rrugor Shqiptar iu bën thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve: Ulni shpejtësinë, mbani distancën e sigurisë, shmangni frenimet e papritura, udhëtoni me kujdes!”– thuhet në shënimin e ARRSH-së në Facebook.