
Ish-kryeministri i Portugalisë dhe aktualisht president i Këshillit Europian, António Costa, rezulton të jetë përfshirë në disa përgjime telefonike të kryera pa autorizimin e Gjykatës, në kuadër të hetimit të gjerë për korrupsion të njohur si “Operation Influencer”, raportojnë mediat portugeze për Euronews.
Hetimi, i nisur nga Prokuroria e Përgjithshme e Portugalisë, shqyrton dyshimet për korrupsion, shpërdorim detyre dhe mashtrim të zyrtarëve të qeverisë gjatë mandatit të Costas. Sipas të dhënave të publikuara nga Diário de Notícias, Costa dëgjohet në 22 përgjime të realizuara midis dhjetorit 2020 dhe dhjetorit 2022, të cilat u dërguan në Gjykatën e Lartë shumë pas afatit ligjor.
Ligji portugez parashikon që përgjimet që përfshijnë zyrtarë të lartë politikë të dërgohen brenda 48 orësh në Gjykatën e Lartë dhe të rinovohen çdo 15 ditë. Por Prokuroria i ka referuar këto materiale në Gjykatë vetëm në tetor të këtij viti, kur ajo nuk kishte më juridiksion t’i shqyrtonte.
Gjykata e Lartë refuzoi t’i analizojë, duke theksuar se mund të ndërhynte vetëm në kohën kur Costa ishte ende kryeministër. Edhe Gjykata Qendrore e Hetimeve Kriminale vendosi të mos i validonte provat, duke argumentuar se “juridiksioni është konsumuar” për shkak të vonesës.
Prokuroria konfirmoi ekzistencën e disa përgjimeve ku Costa përmendet, por tha se ai “nuk ka qenë kurrë objekt i përgjimeve direkte”, dhe se zërat e tij janë përfshirë “rastësisht” gjatë përgjimeve ndaj personave të tjerë.
Megjithëse përgjimet mund të kenë rëndësi hetimore, shkelja e afateve ligjore ka gjasa t’i bëjë ato të papërdorshme si prova. DCIAP – departamenti që drejton hetimet – dyshohet se ka mbajtur të fshehura disa prej regjistrimeve për pesë vite, pavarësisht se vetë e konsideronte se mund të ishin të rëndësishme për çështjen.
Hetimi përfshin katër dosje: projektin e ndërtimit të një Data Centre në Sines, koncesionet e kërkimit të litiumit në Montalegre dhe Boticas, si dhe projektin për një impiant energjie me hidrogjen në Sines.
Një prej hetimeve lidhet drejtpërdrejt me ndërhyrjen e dyshuar të Costas “për të zhbllokuar procedura” në projektin e Data Centre-it. Kjo pjesë e dosjes mbetet nën sekret hetimor.
António Costa prej muajsh kërkon të ketë qasje tek dosja ku përmendet, por kërkesat e tij nuk janë pranuar.
Ai dha dorëheqjen si kryeministër më 7 nëntor 2023, ditën kur Prokuroria njoftoi se ai do të hetohej nga Gjykata e Lartë, ndërsa në disa ministri dhe në rezidencën e tij zyrtare u ushtruan kontrolle.
“Funksioni i kryeministrit nuk është i pajtueshëm me asnjë dyshim mbi integritetin tim,” tha Costa në deklaratën e dorëheqjes.
Pas largimit të tij, presidenti Marcelo Rebelo de Sousa shpërndau parlamentin dhe shpalli zgjedhje të parakohshme.
Prokuroria këmbëngul se “në universin Influencer nuk ka dhe nuk ka pasur asnjë hetim të bllokuar”, por çështja mbetet një prej skandaleve më të debatueshme të viteve të fundit në Portugali.