Vendosni fjalën kyçe....

Rebelët e lidhur me ISIS-in vrasin 89 civilë në vendin afrikan


Rebelët e lidhur me ISIS-in kanë vrarë 89 civilë në sulme të shumta në territorin Lubero të Kongos Lindore, tha të premten misioni paqeruajtës i OKB-së në vendin e Afrikës Qendrore, i njohur si MONUSCO.

Sulmet u kryen nga luftëtarë të Forcave Aleate Demokratike (ADF) në disa lokalitete të provincës Kivu Verior midis 13 dhe 19 nëntorit, dhe 89 të vrarët përfshinin të paktën 20 gra dhe një numër të pacaktuar fëmijësh, tha MONUSCO në një deklaratë.

Në një nga sulmet, thuhet, rebelët sulmuan një qendër shëndetësore të operuar nga Kisha Katolike në Byambëe, duke vrarë të paktën 17 persona, përfshirë gra që kishin shkuar atje për të marrë kujdesin e lindjes dhe duke i vënë flakën katër pavijoneve që strehonin pacientë.

Shkelje të tjera të kryera nga rebelët përfshinin rrëmbime dhe grabitje të materialeve mjekësore, tha ajo.

“MONUSCO u kërkon autoriteteve kongoleze të nisin menjëherë hetime të pavarura dhe të besueshme për të identifikuar autorët dhe bashkëpunëtorët e këtyre masakrave dhe për t’i sjellë ata para drejtësisë,” thuhet në deklaratë.

Zyrtarët lokalë i thanë Reuters muajin e kaluar se rebelët e dyshuar të ADF kishin vrarë 19 civilë në një sulm gjatë natës në fshatin Mukondo në provincën Kivu Verior, shkruan Reuters.