
Shkencëtarët në Zvicër kanë krijuar një robot sa madhësia e një kokrre rëre që kontrollohet nga magnetët dhe mund të çojë mjekimin në vendndodhjen e saktë në trupin e njeriut, një zbulim që synon të ulë efektet anësore të rënda që i pengojnë shumë ilaçe të avancojnë në provat klinike.
“Ne jemi vetëm në majën e ajsbergut,” tha Bradley J. Nelson, një autor i punimit në revistën Science që përshkruan zbulimin dhe profesor i robotikës dhe sistemeve inteligjente në ETH Zyrih.
“Mendoj se kirurgët do e shohin këtë. Jam i sigurt që do kenë shumë ide se si ta përdorin mikrorobotin.”
Kapsula, që drejtohet nga magnetë, mund të jetë e dobishme edhe në trajtimin e aneurizmave, kancereve shumë agresive të trurit dhe lidhjeve jonormale midis arterieve dhe venave të njohura si keqformime arteriovenoze, tha Nelson.
Kapsulat janë provuar me sukses te derrat, të cilët kanë një sistem vaskular të ngjashëm me njerëzit, dhe në modele silikoni të enëve të gjakut te njerëzit dhe kafshët. Modelet e silikonit përdoren në praktikën mjekësore.
Nelson tha se mikrorobotët që transportojnë ilaçe të këtij lloji mund të jenë tre deri në pesë vjet larg testimit në prova klinike.
Problemi me të cilin përballen shumë ilaçe në zhvillim është se ato përhapen në gjithë trupin në vend që të shkojnë vetëm në zonën ku ka nevojë. Kur marrim aspirinë për një dhimbje koke, për shembull, ajo përthithet në qarkullimin e gjakut dhe qarkullon në gjithë trupin.
Një shkak kryesor i efekteve anësore te pacientët është udhëtimi i barnave në pjesë të trupit që nuk kanë nevojë për to.
Kapsulat e zhvilluara në Zvicër, megjithatë, mund të çohen në vendndodhje të sakta nga një kirurg i cili përdor një mjet që nuk është shumë ndryshe nga një levë PlayStation-i. Sistemi i lëvizjes përfshin gjashtë spirale elektromagnetike të pozicionuara rreth pacientit, secila rreth 20 deri në 25 centimetra në diametër.
Spiralet krijojnë një fushë magnetike dhe mund të përdoren për të shtyrë kapsulën në një drejtim ose për ta tërhequr atë në drejtim të kundërt.
“Duke përzier këto fusha dhe duke i kontrolluar ato individualisht, ju mund të merrni llojin e saktë të lëvizjes që dëshironi të lëvizni nëpër enët e gjakut ose lëngun cerebrospinal,” tha Nelson.
Fusha magnetike është mjaft e fortë për të lëvizur kapsulën edhe kur ajo po lëviz kundër rrjedhës së gjakut.
Kapsulat janë bërë nga lëndë që janë gjetur të sigurta për njerëzit në mjete të tjera mjekësore. Këto përfshijnë tantalin, një metal i dendur i argjendtë i përdorur për kontrast, në mënyrë që mjekët të mund të shohin kapsulën në rrezet X, dhe grimca të vogla të bëra nga hekuri dhe oksigjeni që kanë veti magnetike. Këto të fundit, të njohura si nanogrimca të oksidit të hekurit, u zhvilluan për kapsulat nga një ekip në ETH Zyrih i udhëhequr nga kimisti Salvador Pané.
Nanogrimcat, tantali dhe vetë mjekimi janë të lidhura së bashku në një strukturë të krijuar duke përdorur proteinën xhelatinë.
Edhe pse kapsula lëviz shpejt në trup, mjekët mund të gjurmojnë se si po përparon nëpër enët e gjakut nëpërmjet rrezeve X. Kur kapsula arrin destinacionin e saj në trup, “ne mund të shkaktojmë që kapsula të shkrihet,” tha Nelson.
“Unë përpiqem të mos i ekzagjeroj gjërat, por kjo punë – për sa i përket aftësisë për të ofruar kujdes me saktësi të lartë – nga të gjitha kërkimet që kam parë, është deri tani më emocionuesi,” tha Howie Choset, profesor i Robotikës dhe Inxhinierisë Biomjekësore në Universitetin Carnegie Mellon. Choset, i cili ka punuar në fushën e robotikës për më shumë se 30 vjet, nuk ishte i përfshirë në studim.
Aplikimet Biomjekësore kanë qenë një nga aplikimet më të lakmuara në robotikë, por edhe një nga më sfidueset, tha Marc Miskin, asistent profesor i Inxhinierisë Elektrike dhe të sistemeve në Universitetin e Pensilvanisë. Ai nuk mori pjesë në studim.
“Robotika është e vështirë në fillim,” tha Miskin.
“Inxhinieria Biomjekësore është e vështirë, dhe nanofabrikimi dhe nanoshkenca janë të vështira, dhe ky është një problem që në thelb qëndron në ndërfaqen e të gjitha këtyre.”
Miskin parashikoi se punimi do jetë një çast historik.
“Ky do jetë një hap i madh përpara,” tha ai.
“Fakti që po shfaqet një teknologji që duket si e gatshme klinikisht, do të ndryshojë mënyrën se si njerëzit mendojnë për të.”
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Washington Post
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani