
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) miratoi të enjten një rezolutë që i kërkon Iranit të bashkëpunojë plotësisht me inspektorët ndërkombëtarë dhe të japë informacion të saktë mbi stokun e tij të uraniumit të pasuruar pranë nivelit të përdorimit për armë bërthamore. Rezoluta, e propozuar nga Franca, Britania e Madhe, Gjermania dhe SHBA, kërkon gjithashtu akses të inspektorëve në të gjitha objektet bërthamore iraniane “pa vonesë”, përcjell Euronews.
Nga 35 anëtarë të bordit drejtues të IAEA-s, 19 votuan pro rezolutës, ndërsa Rusia, Kina dhe Nigeri votuan kundër. Dymbëdhjetë vende abstenuan dhe një nuk mori pjesë në votim.
Ambasadori i Iranit në IAEA, Reza Najafi, e dënoi rezolutën duke e cilësuar një përpjekje për të ushtruar “presion të padrejtë” dhe për të krijuar një “narrativë të rreme dhe mashtruese” për situatën aktuale. Duke folur jashtë sallës së bordit, Najafi akuzoi vendet autore të rezolutës se veprojnë me “arrogancë” dhe presupozojnë se Irani duhet të vazhdojë bashkëpunimin “edhe nën bombardime”.
Ai theksoi se situata nuk është normale, pasi objekte të mbrojtura që përmbajnë materiale bërthamore janë goditur gjatë sulmeve izraelito-amerikane të qershorit. Sipas tij, Teherani mbetet i gatshëm për angazhim “domethënës dhe konstruktiv”, por do të reagojë ndaj rezolutës “në një moment të mëvonshëm”.
Pas sulmeve ajrore në qershor nga SHBA dhe Izraeli, Irani ka ndaluar hyrjen e inspektorëve të IAEA-s në disa prej objekteve të prekura, pavarësisht detyrimeve të tij sipas Traktatit të Mospërhapjes Bërthamore (NPT). Agjencia raportoi se nuk ka qenë në gjendje të verifikojë stokun aktual të uraniumit të pasuruar deri në 60% që nga sulmet.
Sipas një raporti konfidencial të IAEA-s, Irani zotëron rreth 440.9 kg uranium të pasuruar deri në 60%, një nivel shumë pranë shkallës së armëve bërthamore (90%). Drejtori Rafael Grossi paralajmëroi se një sasi e tillë mund të mjaftonte për ndërtimin e deri në 10 bomba bërthamore, nëse Teherani vendos ta armatosë programin e tij — megjithëse agjencia nuk ka prova që Irani ka marrë një vendim të tillë.
Irani i ndërpreu marrëdhëniet me IAEA-n pas konfliktit të qershorit, por një marrëveshje e shtatorit në Kajro u duk se do të rikthente inspektimet. Megjithatë, vendimi i mëvonshëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të rikthyer sanksionet nëpërmjet mekanizmit “snapback” shkaktoi një reagim të ashpër nga Teherani, i cili pezulloi zbatimin e marrëveshjes.
Teherani këmbëngul prej kohësh se programi i tij bërthamor është paqësor, por IAEA dhe vendet perëndimore thonë se Irani zhvilloi një program të organizuar për armë bërthamore deri në vitin 2003.
Situata pritet të tensionohet më tej, pasi Teherani nuk ka dhënë sinjale se do të pranojë kërkesat e IAEA-s në periudhën e afërt.