Vendosni fjalën kyçe....

GJKKO pezullon nga detyra Belinda Ballukun


Gjykata e Posaçme ka vendosur dy masa sigurie ndaj zv.kryeministres dhe ministres Belinda Balluku, pezullim nga detyra dhe ndalim të daljes jashtë vendit.

Vendimi është dhënë nga gjyqtari Erion Çela, i kërkuar nga prokurori Dritan Prençi, nën akuzën e shkeljes së barazisë në tendera, raporton TopChannel.

GJKKO ka caktuar masën e sigurisë arrest shtëpie për Gentian Gjyli, kreu i ARRSH dhe Erald Elezit, aktualisht drejtor i KESH.

Masa lidhet me hetimin që SPAK po zhvillon për procedurat e tenderit të tunelit të Llogarasë, pjesë e aksit Orikum-Himarë dhe për Unazën e Madhe, Loti 4. 

Tenderi i parë, i hapur në dhjetor 2020 dhe mbyllur në shkurt 2021, u anulua pasi asnjë ofertë nuk u konsiderua e vlefshme, edhe pse “Gjoka Konstruksion” kishte paraqitur ofertën më të ulët prej 140 milionë euro.

Gara u rihap në qershor 2021 me fond limit rreth 190 milionë euro dhe fitues u shpallën dy kompani turke me një ofertë prej 170 milionë euro plus TVSH.

SPAK dyshon se Balluku dhe zyrtari tjetër Gjyli mund të kenë ndërhyrë në mënyrë të padrejtë në këtë proces, duke ndikuar në anulimin e tenderit të parë dhe favorizimin e ofertës më të lartë në rihapjen e garës.