Vendosni fjalën kyçe....

Agron Shehaj i vetmi kryetar partie opozitare që nuk ndejti në zyrë sot ose para TV (Video)


Ndërsa dita e sotme tronditi jetën politike në vend, pas vendimit të Gjykatës së Posaçme për të pezulluar nga detyra Belinda Ballukun, zv.kryeministren dhe një nga personat më të pushtetshëm e të fuqishëm të PS-së dhe qeverisë Rama, Agron Shehaj është i vetmi kryetar i një partie opozitare që nuk ndejti në zyrën e tij komode apo para TV për të ndjekur zhvillimet.

Ndryshe nga krerët e partive të tjera opozitare, kreu i Partisë Mundësia dhe dhjetëra mbështetës të forcës politike që drejton, u mblodhën poshtë kryeministrisë duke i kërkuar kryeministrit Rama që të dorëzojë zv.kryeministrin Belinda Balluku dhe të dy të shkojnë e të përballen me drejtësinë.

“Belinda Balluku është në kryeministri, në zyrën e saj, nën mbrojtjen e Edi Ramës. Edi Rama mbron Belinda Ballukun se e di shumë mirë se pas Belindës e ka radhën Edi Rama. Dorëzo Belinda Ballukun, dorëzo Belinda Ballukun. Dilni para drejtësisë, lërini planet. Edi Rama, nuk e shpëton dot Ballukun. Dorëzo Belindën, dorëzo Belindën, dorëzo Belindën, dorëzo Belindën.” – thotë Shehaj ndërsa dhjetëra mbështetës brohorasin duke kërkuar largimin e Ballukut dhe daljen e saj para drejtësisë.

Paraditen e sotme, Gjykata e Posaçme vendosi pezullimin nga detyra të zv.kryeministres Belinda Balluku si dhe vendosi në arrest shtëpie dy vartësit e saj, kreun e ARRSH-së Gentian Gjyli dhe atë të KESH-it Erald Elezi.

Që prej orës 12 e 15 të paradites, zv.kryeministrja Belinda Balluku shkoi në kryeministri dhe dyshohet se është ende brenda duke qenë se makina e saj është ende në godinë, ndërsa kryeministri Rama u largua rreth dy orë më parë.

Krerët e partive të tjera opozitare nuk u panë asgjëkundi sot, veç statuseve në rrjetet sociale. Berisha u mjaftua me një njoftim për foltoren e radhës të hënën në orën 18:00 para kryeministrisë, në një ritual të ri që ka nisur selia blu, si formë proteste ndaj qeverisë. Ndërkohë as krerët e partive të tjera opozitare nuk u panë gjëkund.

Balluku akuzohet deri tani për tunelin e Llogarasë dhe Lotin 4 të Unazës së Madhe.