
Rrëshqitjet e dheut dhe vërshimet e ujërave të shkaktuara nga moti i keq kanë krijuar probleme serioze në zonat malore të Dukagjinit, duke izoluar përkohësisht disa fshatra. Situata paraqitet më e vështirë në aksin Theth–Ndërlysa dhe në segmentin Ndërlysa–Breg Lumi, ku rrugët janë bërë të pakalueshme.
Autoritetet vendore bëjnë të ditur se po pritet ndërhyrja e mjeteve të Bashkisë Shkodër dhe ekipeve të Emergjencave Civile, ndërsa Forcat e Ushtrisë pritet të bashkohen për zhbllokimin e rrugëve dhe normalizimin e qarkullimit. Ndërkohë, rruga kryesore Shkodër–Theth raportohet të jetë e kalueshme, ashtu si edhe akset nacionale dhe rrugët kryesore në qarkun Shkodër.
Përveç izolimit të fshatrave, një pjesë e zonave të Bashkisë Vau Dejës dhe disa fshatra të tjerë malorë po përballen me mungesë energjie elektrike për shkak të defekteve të shkaktuara nga kushtet e motit.
Mbrëmjen e kaluar, një incident i rëndë është regjistruar në fshatin Preknicaj të Shkrelit në Malësinë e Madhe, ku një banesë dykatëshe u përfshi nga flakët rreth orës 02:00. Pavarësisht ndërhyrjes së zjarrfikësve, shtëpia e shtetasit Zef Preknicaj u dogj plotësisht, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Nuk raportohet për persona të lënduar. Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se zjarri është shkaktuar nga rrufeja, për shkak të aktivitetit të shtuar elektrik në atmosferë gjatë 24 orëve të fundit.
Strukturat e bashkive, Emergjencave Civile, Forcave të Ushtrisë, OSHEE dhe institucioneve të tjera janë në gatishmëri për të menaxhuar situatën. Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të shmangin lëvizjet e panevojshme, veçanërisht në zonat malore, deri në përmirësimin e kushteve atmosferike.