Vendosni fjalën kyçe....

KE lehtëson pezullimin e udhëtimit pa viza për qytetarët e vendeve jo-anëtare të BE-së


Këshilli Evropian miratoi të hënën rregulla të reja që do e bëjnë më të lehtë për bllokun pezullimin e udhëtimit pa viza me qëndrim të shkurtër për qytetarët e vendeve jo-anëtare të BE-së, veçanërisht në rastet e shkeljeve të të drejtave të njeriut.

Reforma kërkon të forcojë mekanizmin e pezullimit të vizave të Bashkimit Evropian, i cili aktualisht mbulon 61 vende, kombësitë e të cilave mund të hyjnë në zonën Shengen pa vizë për deri në 90 ditë në çdo periudhë 180-ditore.

Mekanizmi i përditësuar prezanton arsye të reja për aktivizimin e një pezullimi, duke i lejuar BE-së të revokojë statusin pa viza të një vendi nëse shkeljet e të drejtave të njeriut përkeqësohen ose nëse marrëdhëniet më të gjera me bllokun prishen, sipas një deklarate.

Më parë, mekanizmi fokusohej kryesisht në treguesit e lidhur me emigrimin.

Në kuadër të ndryshimeve, BE-ja mund të veprojë gjithashtu kundër vendeve, politikat e të cilave ndryshojnë nga rregullat e vizave të BE-së ose atyre që operojnë skema të shtetësisë për investitorë që u japin shtetësinë individëve pa lidhje të vërteta me vendin, praktika që BE-ja i konsideron si rrezik sigurie, shkruan Anadolu Agency.

Rregullorja ul pragun për aktivizimin e mekanizmit të pezullimit. Një rritje prej 30% e refuzimeve të hyrjes, qëndrimeve të tejkaluara, kërkesave për azil ose krimeve të rënda, tani do përmbushë kriteret për një “rritje thelbësore”, krahasuar me pragun e mëparshëm prej 50%.

Kohëzgjatja e një pezullimi fillestar do zgjatet nga 9 në 12 muaj. Kjo mund të pasohet nga një zgjatje prej 24 muajsh, më e gjatë se 18 muajt aktualë, duke i dhënë BE-së kohë shtesë për të punuar me vendin për të zgjidhur çështjet përpara se të shqyrtohet një revokim i përhershëm.

Ndryshe nga rregullat aktuale, të cilat prekin automatikisht të gjithë shtetasit kur një pezullim zgjatet, mekanizmi i ri i lejon BE-së të shënjestrojë grupe specifike, duke përfshirë zyrtarët qeveritarë dhe diplomatët, gjatë fazës së zgjatur.

Rregullorja e përditësuar do hyjë në fuqi 20 ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të BE-së dhe do jetë e zbatueshme drejtpërdrejt në të gjitha shtetet anëtare.