
Deputetja e PD-së Jorida Tabaku ka përkujtuar çlirimin e Tiranës më 17 nëntor 1944.
Ajo shkruan se ndërsa ndaj pushtuesve nazifashistë kishin luftuar realisht një pjesë e partizanëve, ballistët, legalistët e nacionalistët, elita politike e ushtarake e partizanëve kishte si mision zhdukjen e elitës politike e ekonomike të vendit për të vendosur diktaturën e proletariatit.
Tabaku shton se është e vërtetuar me dokumente se përveç luftës ndaj pushtuesve, në periudhën 1939-1945 Shqipëria u bë arenë e një lufte civile për pushtet dhe sesi Partia Komuniste, vasale e Partisë Komuniste Jugosllave nisi eliminimin e çdo kundërshtari politik e ideologjik.
“Nga Tirana e lirë te tirania e re. Historia nuk mund të harrohet pasi ajo nuk është thjesht muze, por është kujtesë, reflektim dhe mësim. 81 vjet më parë forcat partizane hynë në kryeqytetin e shqiptarëve, prej tyre kishte që kishin luftuar realisht për çlirimin e atdheut me veshjen e partizanëve, siç kishte dhe tek ballistët, legalistët dhe nacionalistët. Por, elita politike dhe ushtarake e partizanëve kishte një mision të qartë në kokë: zhdukjen e elitës politike dhe ekonomike për t’i marrë pushtetin dhe pasurinë kësaj elite dhe për të instaluar projektin e tyre të diktaturës së proletariatit.
Tashmë, përtej daulleve të pushtetit të dikurshëm, historia dhe historianët kanë folur mbi të vërtetën e asaj që ka ndodhur gjatë përpjekjes për luftë kombëtare kundër fashizmit dhe nazizmit. Dokumente dhe dëshmi, por edhe ditare dhe vepra vëllimore kanë treguar se si gjatë periudhës 1939–1945, Shqipëria ka vuajtur jo vetëm pushtimin, por ka qenë arenë e një lufte civile për pushtet. Se si elita politike dhe ushtarake e Partisë Komuniste shkatërroi Marrëveshjen e Mukjes, mbajtur në shtëpinë e një prej anëtarëve të familjes Toptani, sepse qe vasale e Partisë Komuniste Jugosllave. Se si gjithë politika e këtyre drejtuesve të Partisë Komuniste u drejtua për të zhdukur çdo kundërshtar politik dhe ideologjik. Prandaj, nuk është aspak e çuditshme që masakrat që ndodhën në Tiranë përpara se të vinte data 17 nëntor 1944, të ishin vazhdim i këtij spastrimi që elita komuniste po përgatiste dhe zbatonte ndaj atyre që mendonin ndryshe dhe kërkonin zgjedhje. Duke qenë se të gjithë ata e kishin të qartë se krimet e tyre ishin të tmerrshme, ata përgatitën një propagandë të fortë që ua shitën shqiptarëve për vite me radhë, se vetëm Partia Komuniste kishte luftuar. Megjithëse provat dhe faktet historike tregojnë të kundërtën, flasin për shqiptarë të ndershëm zogistë, ballistë dhe nacionalistë që kanë luftuar kundër pushtuesve fashistë dhe nazistë.” – shkruan Tabaku.
Demokratja shkruan më tej se nuk mund të lihen në harresë intelektualët shqiptarë të ndershëm që u vranë pa gjyq nga komunistët ndëtsa thekson se 17 nëntori është dita e një pushtimi të ri totalitar. Tabaku nënvizon se komunistët prodhuan një Shqipër të varfër e shqiptarë të kequshqyer.
“Historia nuk është bardh e zi. Por ne nuk mund të lëmë në harresë ata intelektualë dhe shqiptarë të ndershëm që u vranë pa gjyq nga urdhëri i Partisë Komuniste për të larguar çdo kundërshtar. Një urdhër që mbeti permanent deri në ditët e fundit të jetës së tyre politike.
Prandaj, 17 nëntori është dita e një pushtimi të ri totalitar. Kësaj radhe në emër të popullit vetë shqiptarët u burgosën në një tel të gjatë 28 mijë kilometra katror dhe u gënjyen me 28 mijë dëshmorë, me propagandën e kështjellës së vetme komuniste që i rezistonte imperializmit. Fshati u burgos në tollonin e bukës së misrit dhe koperativave, qyteti u burgos në kulturën zhdanoviane dhe tollonët e ushqimeve, ndërsa historia u shtrembërua sipas takatit dhe interesit të elitës politike komuniste, që prodhoi një Shqipëri të varfër dhe shqiptarë të kequshqyer. Lufta e njeriut kundër pushtetit është lufta e kujtesës kundër harresës. Ai tregon sesi pushtetet totalitare përpiqen të fshijnë njerëzit, ngjarjet, figurat publike, madje edhe vetë imazhet, për t’i zhdukur nga historia. Dhe sapo harresa triumfon, viktimat zhduken përfundimisht. Por sado pushteti që ishte i dhunshëm dhe totalitar, familjet e Tiranës nuk harruan masakrën para 17 nëntorit, preludin e asaj që do të ishte regjimi. As familjet shqiptare nuk harruan, edhe pse diktati i përqeshte dhe i dhunonte.” – mbyll Tabaku.
