
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ilir Proda, raportoi sot në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes mbi projektbuxhetin e vitit 2026, ku foli edhe për disa ngjarje të ndjeshme të javëve të fundit.
Proda u ndal fillimisht te atentati i 11 nëntorit pranë Aeroportit të Rinasit, ku mbetën të vrarë Gilmando Dani, i njohur si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit dhe Muçi Shaljani, agjent i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Ai tha se ngjarja po hetohet dhe se nuk mund të japë më shumë detaje.
“Është çështje në hetim dhe nuk kam çfarë them se sa kaq deri tani,” deklaroi Proda.
Kreu i Policisë u pyet edhe për arrestimin e Ilir Metës në tetor, moment që shkaktoi debat publik lidhur me mënyrën e shoqërimit të tij në polici. Proda mohoi çdo shkelje të procedurave apo përdorim force nga efektivët.
“Për arrestimin e Metës nuk kishte përdorim force. I takon individit të sillej njëlloj si në detyrën që ka mbajtur,” u shpreh ai.
Proda foli edhe për çështjen e sigurisë në gjykata, duke bërë të ditur se është ngritur një grup pune për të analizuar kompetencat dhe përgjegjësitë mes institucioneve.
“Në lidhje me sigurinë në gjykata, ne kemi analizuar rolin tonë, por pas reformës, institucionet e drejtësisë, përveç SPAK, e ruajnë vetë. Policia e Shtetit ruan godinën deri në 16:00, më pas Illyrian Guard, ndërsa brenda e ka vetë gjykata. Është ngritur një grup pune, do të shohim se kujt do t’i jepet përgjegjësia,” tha Proda, duke shtuar se Policia është e gatshme të marrë detyrën nëse i kalon asaj.
Ai theksoi se vëmendje e veçantë po i kushtohet edhe sigurisë në shkolla.
“Siguria në shkolla është në fokus të veçantë, me plan bashkë me Ministrinë e Arsimit. Shkollat shpesh tregohen jo bashkëpunuese, se nuk duan t’u prishet imazhi,” deklaroi ai.