
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka akuzuar Presidentin e Republikës, Bajram Begaj, se prej 47 ditësh po bllokon procedurën e betimit të gjyqtarit kushtetues të zgjedhur, Asim Vokshi, duke futur në ngërç kushtetues vetë Gjykatën Kushtetuese.
Bardhi e cilësoi veprimin e Begajt si “plotësisht antikushtetues”, duke cënuar pavarësinë dhe integritetin e Gjykatës Kushtetuese dhe duke shkelur nenin 129 të Kushtetutës dhe nenin 8 të Ligjit nr. 8577/2000 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Gjykatës Kushtetuese”. Ai shtoi se asnjë president para Begajt nuk ka vepruar kështu.
Sipas Bardhit, Presidenti po vepron në favor të interesave politike të Edi Ramës dhe Partisë Socialiste, duke penguar shqyrtimin nga Gjykata Kushtetuese të shkeljeve të ligjit dhe Kushtetutës nga vetë Begaj. Ai bëri thirrje që Gjykata e Lartë dhe Gjykata Kushtetuese të reagojnë menjëherë për të ruajtur autoritetin e dy gjykatave më të larta në vend.
Bardhi theksoi se mosveprimi i Presidentit po pengon fillimin e detyrës së gjyqtarit Vokshi dhe po krijon një precedent të rrezikshëm për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese.