
Të paktën 120 persona – 100 prej tyre efektivë policie – janë plagosur gjatë përplasjeve në protestat kundër qeverisë në Mexico City, njoftuan autoritetet. Mijëra protestues marshuan të shtunën në kryeqytetin meksikan kundër dhunës së krimit dhe politikave të presidentes Claudia Sheinbaum, përcjell BBC.
Protestat, të organizuara kryesisht nga grupe të të rinjve të gjeneratës Z, u nxitën nga vrasjet e bujshme të javëve të fundit, përfshirë atentatin ndaj kryebashkiakut të Uruapanit, Carlos Manzo, i cili kërkonte veprime më të forta kundër karteleve të drogës.
Gjatë marshimit, protestuesit çmontuan pjesë të barrierës mbrojtëse të vendosur përreth Pallatit Kombëtar, ku jeton Sheinbaum. Policia u kundërpërgjigj me gaz lotsjellës. Kreu i sigurisë së Mexico City, Pablo Vázquez, bëri të ditur se 20 persona janë arrestuar për vepra penale që përfshijnë grabitje dhe sulm.
Presidentja Sheinbaum akuzoi politikanë të krahut të djathtë se kishin financuar protestat. Ajo tha se demonstratat po manipuloheshin online përmes “botëve” dhe se qytetarët duhet të dinë “kush po i promovon”.
Megjithëse Sheinbaum gëzon ende mbi 70% të mbështetjes publike dhe ka shënuar përparime në luftën kundër trafikut të fentanilit, ajo kritikohet për dështimin në frenimin e dhunës së përhapur në vend. Klima politike është tensionuar edhe nga jashtë: këtë muaj, Kongresi i Perusë e shpalli presidente meksikane persona non grata, pas ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.
Ndërkohë, mes protestuesve në Mexico City, shumë mbanin pankarta me mbishkrimin “Ne jemi Carlos Manzo”, ndërsa të tjerë mbanin kapele kauboj në shenjë nderimi për të. Manzo u vra më 1 nëntor gjatë një festivali të “Ditës së të Vdekurve”, pasi kishte denoncuar hapur dhunën e karteleve në Uruapan.