
Protesta të mëdha kundër korrupsionit kanë shpërthyer jashtë Pallatit Kombëtar të Meksikës në kryeqytetin Mexico City pas vrasjes nga një kartel droge i kryetarit të bashkisë së Uruapan, Carlos Manzo.
Demonstruesit që përpiqen të thyejnë barrikadat e policisë po përleshen me forcat e sigurisë, me shumë që kërkojnë dorëheqjen e presidentes Claudia Sheinbaum.
Mijëra njerëz dolën në rrugët e Mexico City të shtunën për të protestuar kundër rritjes së krimit, korrupsionit dhe mosndëshkimit, në një protestë të organizuar nga të rinjtë por që përfundoi me mbështetje të fortë nga mbështetës më të vjetër të partive opozitare.
Në disa vende këtë vit, anëtarë të grupit demografik të lindur midis fundit të viteve ’90 dhe fillimit të viteve 2010 kanë organizuar protesta kundër pabarazisë, rënies demokratike dhe korrupsionit.
Protestat më të mëdha të “Gen Z” u zhvilluan në Nepal në shtator, pas një ndalimi të mediave sociale, dhe çuan në dorëheqjen e kryeministrit. Në Meksikë, shumë të rinj thonë se janë të frustruar me problemet sistemike si korrupsioni dhe mosndëshkimi për krimet e dhunshme.
“Ne kemi nevojë për më shumë siguri,” tha Andres Massa, një konsulent biznesi 29-vjeçar i cili mbante flamurin e kafkës së piratit që është bërë një simbol global i protestave të Gjeneratës Z.
Arizbeth Garcia, një mjeke 43-vjeçare që iu bashkua protestave, tha se po marshonte për më shumë fonde për sistemin shëndetësor publik dhe për siguri më të mirë, sepse edhe mjekët “janë të ekspozuar ndaj pasigurisë që ka kapluar vendin, ku mund të vritesh dhe nuk ndodh asgjë.”
Meksika do dërgojë më shumë trupa dhe para në Michoacan pas vrasjes së kryetarit të bashkisë. Presidentja meksikane Claudia Sheinbaum ende gëzon vlerësime të larta pavarësisht një vale të fundit vrasjesh të profilit të lartë që përfshin atentatin ndaj një kryebashkiaku në shtetin perëndimor të Michoacan.
Ditët përpara protestës së të shtunës, Sheinbaum akuzoi partitë e krahut të djathtë se po përpiqeshin të infiltronin lëvizjen Gen Z dhe se po përdornin robotë në mediat sociale për të rritur pjesëmarrjen, shkruan AP.
Këtë javë disa influencerë të mediave sociale të “Gen Z” thanë se nuk i mbështesnin më protestat e së shtunës. Ndërkohë figura të moshuara si ish-Presidenti Vicente Fox dhe miliarderi meksikan Ricardo Salinas Pliego publikuan mesazhe në mbështetje të protestave.
Marshimi i së shtunës u ndoq nga njerëz të grupmoshave të ndryshme, me mbështetës të Kryetarit të Bashkisë së Michoacan, Carlos Manzo, i vrarë së fundmi, të cilët morën pjesë në protestë duke mbajtur kapelet prej kashte që simbolizojnë lëvizjen e tij politike.
“Shteti po vdes,” tha Rosa Maria Avila, një agjente pasurish të paluajtshme 65-vjeçare e cila udhëtoi nga qyteti Patzcuaro në shtetin Michoacan.
“Ai u vra sepse ishte një burrë që po dërgonte oficerë në male për të luftuar keqbërësit. Ai kishte guximin t’i përballonte ata,” tha ajo për Manzon.