
Trajneri i kombëtares shqiptare, Sylvinho, shprehu emocionet dhe analizën e tij pas fitores 0-1 ndaj Andorrës, rezultat që i siguroi Shqipërisë një vend historik në play-off të Botërorit.
Duke folur pas ndeshjes për “SuperSport”, ai theksoi se sfida ka qenë shumë më e vështirë sesa pritej:
“Ndryshimet? Jo, nuk mendoj se mund të bëheshin më herët. Ishte një ditë e vështirë. Andorra është skuadër që duhet respektuar. Anglia i ka mundur vetëm 1-0, Letonia barazoi, Serbia ishte 1-1 në pjesën e parë. Ne po rritemi, po bëjmë mirë, por nuk jemi Gjermania që fiton 6-0. Disa thonë ‘shko e i bëre 6’, por nuk është kështu.”
Tekniku brazilian tregoi se edhe pse ekipi arriti objektivin, jo të gjithë lojtarët e kanë kuptuar rëndësinë e këtij momenti:
“Broja ishte i mërzitur dhe nuk e kuptova pse. As unë vetë akoma s’e kam përjetuar plotësisht faktin që për herë të parë jemi në play-off. Është një natë e mrekullueshme.”
Sa i përket lojës, Sylvinho tha se është momenti që gjithë vendi të festojë:
“Mungesa e lojës? Unë mendoj se duhet të festojë i gjithë vendi. Nuk ka ndodhur kurrë. Për tre milionë shqiptarë në Shqipëri, apo gjashtë a nëntë milionë jashtë, është diçka e jashtëzakonshme. Tifozët meritojnë gjithçka. Kemi humbur vetëm ndeshjen në Angli, nuk është pak.”
Ai foli edhe për kundërshtarët e mundshëm në play-off:
“Nuk kam menduar play-off më parë. Tani fillojmë të mendojmë për marsin. Nuk ka kundërshtar për të shmangur, sepse është ndeshje teke. Duhet të përqendrohemi te skuadra dhe grupi.”
Sylvinho vlerësoi të gjithë lojtarët, edhe ata që nuk patën minuta në fushë:
“Jam krenar për të gjithë djemtë. Më vjen keq për Pajazitin dhe Caken. Bajrami e Uzuni janë të rëndësishëm. Tuci hyri sepse kishim nevojë për mbajtje topi – mori faulle, bëri sponda. Ndaj erdhi ai ndryshim.”
Në fund, trajneri dha një mesazh të qartë:
“Nuk e di nëse ndokush ka kursyer energji. Kemi dhënë 100%. Nëse dikush nuk është i kënaqur, nuk e di. Por të humbësh vetëm një ndeshje dhe të arrish play-off një ndeshje para fundit… për mua kjo është arritje e madhe.”
Shqipëria e Sylvinhos shkon për herë të parë në play-off të Botërorit, duke shkruar historinë e futbollit shqiptar.