Vendosni fjalën kyçe....

SHBA heq tarifat për disa produkte ushqimore nga Amerika Latine në këmbim të aksesit më të madh tregtar



Shtetet e Bashkuara pritet të heqin tarifat për një sërë produktesh ushqimore dhe importesh të tjera nga Argjentina, Ekuadori, Guatemala dhe El Salvador, në këmbim të përmirësimit të aksesit të kompanive amerikane në tregjet e këtyre vendeve, përcjell DW.

Marrëveshjet-kornizë, që pritet të finalizohen brenda dy javëve të ardhshme, synojnë uljen e çmimeve për bananet, kafenë dhe produkte të tjera ushqimore nga rajoni.

“Me të gjitha këto marrëveshje, në Azi dhe ato që po njoftojmë sot, ne mbajmë tarifat, japim lehtësim për disa produkte, por në të njëjtën kohë hapim tregje të huaja në mënyra që nuk kanë qenë të hapura më parë,” tha një zyrtar amerikan për agjencinë Reuters.

Pas fitoreve të fundit të demokratëve në Nju Xhersi, Nju Jork dhe Virxhinia – të ndikuara pjesërisht nga shqetësimet mbi koston e jetesës të përkeqësuara nga tarifat e vendosura nga Presidenti Donald Trump – administrata amerikane ka zhvendosur fokusin tek çështjet e përballueshmërisë, duke i atribuar kostot e larta politikave të paraardhësit Joe Biden.

Megjithatë, shumë ekonomistë argumentojnë se rritja e çmimeve lidhet drejtpërdrejt me tarifat e gjera të importit të vendosura nga Trump mbi pothuajse çdo vend në botë.

Vendimmarrësit në Argjentinë, El Salvador, Guatemala dhe Ekuador e kanë përshëndetur marrëveshjen.

Ministri i Jashtëm i Argjentinës, Pablo Quirno, tha se pakti do të “krijojë kushtet” për të rritur investimet amerikane në vend, duke falënderuar presidentin libertarian Javier Milei për “vendosmërinë” në arritjen e marrëveshjes.

Ambasadori i El Salvadorit në SHBA tha se dy “kombet motra” kanë “rinovuar marrëdhëniet mbi bazën e besimit dhe vetëvendosjes”, ndërsa homologu i tij nga Guatemala u shpreh se pakti “na vendos si një vend edhe më konkurrues dhe tërheqës për investime.”

Ndërkohë, sekretari amerikan i shtetit Marco Rubio diskutoi një marrëveshje të ngjashme me ministrin e jashtëm brazilian Mauro Vieira.
“Sekretari i Shtetit tha se po analizojnë çështjet dypalëshe me Brazilin me vëmendje të plotë dhe se një përgjigje do të vijë shumë shpejt, nesër ose javën e ardhshme,” tha Vieira.

Brazili është prodhuesi dhe eksportuesi më i madh i kafesë në botë, por eksportet e tij drejt SHBA-së aktualisht përballen me tarifa të rënda 50% të vendosura nga administrata Trump.