
Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka komentuar në News 24 përplasjen që pati gjatë kësaj jave me deputetin Ceno Klosi, duke theksuar se situata në parlament është pasojë e shkeljeve të vazhdueshme të rregullores dhe mungesës së funksionimit normal të institucioneve.
“Në rastin konkret, një njeri i cili ka katër dosje në hetim, që edhe kolegët e tij venë bast a do ta marrin sot apo nesër,” deklaroi Balliu, duke iu referuar Klosit. “Arsyeja pse ndodhi? Në Shqipëri ka rënë parlamentarizmi. Është hera e parë që këtu shkelet çdo ligj.”
Balliu kritikoi ashpër mënyrën se si po zhvillohen diskutimet për projektbuxhetin, duke theksuar se rregullorja e Kuvendit nuk po respektohet.
“Projektbuxheti vjen, vetëm ministrja e raporton. Por kur diskutohet buxheti në parim, dhe është neni 80 në rregullore… Duhet të kuptoni që ministria e Belinda Ballukut është ajo që merr 70% të buxhetit të shtetit,” u shpreh ai.
Sipas Balliut, mungesa e zbatimit të procedurave parlamentare dhe përqendrimi i fondeve në një ministri të vetme përbëjnë tregues të degradimit të institucioneve dhe të kontrollit që qeveria ushtron mbi proceset ligjvënëse.