Vendosni fjalën kyçe....

JD Vance: E majta ishte gati ta digjte vendin për të goditur Trump



Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance dha deklaratat e para publike pas rihapjes zyrtare të qeverisë federale, duke thënë se mbyllja 43-ditore shkaktoi “dhimbje masive” për amerikanët, pa asnjë rezultat konkret.

Në një intervistë për “Hannity” në Fox News, Vance akuzoi demokratët se krijuan kaos të panevojshëm.

“Solli stres për trupat tona, bëri që kontrollorët e trafikut ajror të mos paguheshin, shkaktoi anulime fluturimesh dhe la shumë njerëz të frikësuar se do të humbnin përfitimet për ushqim. Gjithçka, fjalë për fjalë, për asgjë,” tha ai.

Vance akuzoi krahun e majtë të Partisë Demokratike se po vendos urrejtjen ndaj Presidentit Donald Trump mbi interesat e vendit.

“Atyre nuk iu intereson nëse trupat nuk paguhen, nëse humben miliarda dollarë produktivitet, apo nëse paralizohet industria ajrore. Atyre nuk iu intereson nëse duhet të djegin të gjithë vendin vetëm që të godasin Trump,” deklaroi ai.

Vance tha se marrëveshja që i dha fund mbylljes ishte identike me propozimin që republikanët kishin bërë më herët, por që ishte refuzuar nga liderët demokratë Hakeem Jeffries dhe Chuck Schumer.

“Ne mund ta kishim bërë këtë marrëveshje që para 45 ditësh. Ne e propozuam të njëjtën gjë. Ata thanë jo,” tha ai.

Megjithatë, ai vlerësoi disa demokratë moderatë që, sipas tij, shmangën konfliktin partiak dhe pranuan privatisht se pozicionet e së majtës radikale ishin “të çmendura”.

“Të gjithë ndihen pak si peng të së majtës,” shtoi ai.

Vance vlerësoi lidershipin e Presidentit Trump gjatë bllokimit të qeverisë, duke thënë se parashikimet e tij për një tërheqje të demokratëve u realizuan.

“Presidenti tha çdo ditë se ata do ta kuptonin absurdin e pozicionit të tyre dhe do të pranonin rihapjen e qeverisë – dhe ashtu ndodhi,” u shpreh ai.

Trump nënshkroi të mërkurën në mbrëmje ligjin që rihap qeverinë dhe që mban financimin federal në nivelet aktuale deri më 30 janar 2026, duke dhënë kohë për të negociuar një paketë të plotë buxhetore.

Ligji garanton gjithashtu financimin e programit SNAP deri në shtator, që ndihmon mbi 42 milionë amerikanë të blejnë ushqime.

Zëvendëspresidenti u shpreh se mbyllja 43-ditore “përfundoi karrierën politike” të liderit të pakicës në Senat, Chuck Schumer, duke e quajtur “politikisht të pamend” dhe “gabim të madh për demokratët”.

Në fund të intervistës, Vance përsëriti akuzat tradicionale republikane duke thënë se prioritetet e demokratëve janë të gabuara:
“Ne kujdesemi për amerikanët. Ata kujdesen për migrantët e paligjshëm. Kjo ka qenë e vërtetë prej vitesh dhe u pa qartë gjatë kësaj beteje për mbylljen e qeverisë.”